Pas gati dy vitesh kërkime, autoritetet dyshojnë se kanë gjetur mbetjet mortore të alpinistit belg Mark Joris, i cili ishte zhdukur në shtator të vitit 2024 gjatë një ekspedite në zonën malore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Sipas raportimeve të mediave belge, policia kufitare në Maqedoninë e Veriut gjeti një çantë shpine, tendë, thes gjumi, telefona celularë dhe mbetje mortore në një shpat mali. Përmes verifikimit të numrit IMEI të telefonit, autoritetet dyshojnë se sendet i përkasin 72-vjeçarit belg.
Familja e alpinistit ka bërë të ditur se analizat e ADN-së do të konfirmojnë zyrtarisht identitetin e mbetjeve, ndërsa beson se ai humbi jetën pasi rrëshqiti gjatë etapës së fundit të ecjes malore. Mark Joris ishte një alpinist me përvojë dhe kishte udhëtuar i vetëm në shtegun malor “High Scardus Trail”, por që nga 11 shtatori 2024 ishte humbur çdo kontakt me të.
Kërkimet e zhvilluara për muaj të tërë nuk kishin dhënë rezultat deri në zbulimin e fundit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
