Nga: The Guardian Përktheu:
Flutura Gashi-Mehmeti Shpërndaje në: Duke iu referuar të dhënave të policisë, Komisioni i të Drejtave të Njeriut të Pakistanit (HRCP) dokumentoi të paktën 470 vrasje “për nder” në vend gjatë vitit 2025, prej të cilave 126 në Sindh.
Organizatat për të drejtat e njeriut thonë se numri real ka të ngjarë të jetë edhe më i lartë, veçanërisht në distriktet e largëta, ku vdekjet mund të mos raportohen ose të klasifikohen gabimisht si vetëvrasje apo aksidente. Mohammad Ramzan ishte në turnin e natës në fabrikën e çimentos pranë Karaçit kur mori një telefonatë nga shtëpia.
Vajza e tij 20-vjeçare, Khalida Chandio, ishte vrarë me armë zjarri në fshatin e tyre në provincën jugore Sindh të Pakistanit. Tani së bashku me nënën e Khalidës, Nabul, çifti i shkatërruar po përpiqet të kuptojë se çfarë ndodhi. Nabul mezi i përmban lotët. Ajo thotë se vajza e saj u nxor nga shtëpia nën mbulesën e errësirës dhe u vra vetëm disa qindra metra më tutje.
Vrasja u filmua dhe pamjet janë parë gjerësisht në rrjetet sociale, madje edhe nga prindërit e pafuqishëm të viktimës. “Britmat e saj ende jehojnë në veshët e mi”, thotë Nabul. “Nuk arritëm ta shpëtonim”, shton ajo.
Policia thotë se Khalida u vra pasi ishte shpallur “kari” – një term në gjuhën sindhi që përdoret për të akuzuar një grua se ka një marrëdhënie jashtëmartesore dhe që shpesh përdoret nga autorët për të justifikuar të ashtuquajturat “vrasje për nder”.
Edhe Botë 26 dhj 2025 Dasma në Gazë që u kthye në tragjedi Policia pretendon se gjyshi i saj dhe vëllai i nënës së saj (daja) e kryen vrasjen me urdhër të një plaku fisnor. Tre të dyshuar janë arrestuar, ndërsa një tjetër është në kërkim. Çështja pritet të trajtohet edhe në gjyq.
“Nëse ata besonin se vajza ime kishte bërë diçka të gabuar, duhej ta dorëzonin te policia”, thotë Ramzan, 55 vjeç. “Ajo do të ishte ende gjallë sot. Mund të ishte me ne ose të jetonte në një strehimore”, shton ai. Pesë vjet më parë, Khalida ishte martuar me kushëririn e saj, djalin e njërit prej vëllezërve të nënës së saj (djalin e dajës).
Por në fund të vitit të kaluar, rreth pesë muaj para vrasjes, bashkëshorti i saj, një punëtor fabrike në Karaçi, nuk u kthye më në shtëpi. Meqë askush nuk arriti ta gjente, Khalida u kthye në shtëpinë e prindërve në Tando Masti, një fshat në distriktin Khairpur, rreth 450 kilometra larg Karaçit.
Nata e kobshme Sipas hetuesve, natën e 10 prillit, në një mbledhje të të afërmve burra dhe banorëve të fshatit ajo u akuzua se kishte një lidhje me një burrë tjetër. Policia thotë se akuza iu paraqit një këshilli të pleqve lokalë (jirga), ku ajo u shpall “kari”. Hetuesit thonë se pas këtij vendimi, tre burra e tërhoqën Khalidën nga shtëpia dhe e vranë.
Gjykatat e Pakistanit ua kanë ndaluar kuvendeve ose këshillave tradicionale të pleqve fisnorë të gjykojnë çështje penale, por organizatat për të drejtat e njeriut thonë se këto kuvende fisnore joformale vazhdojnë të ndikojnë në mosmarrëveshjet që përfshijnë gratë në zonat rurale të Sindhit.
Vdekja e Khalidës pasqyron një model më të gjerë dhune ndaj grave të akuzuara se kanë sjellë “çnderim” për familjet e tyre. Sipas Komisionit të të Drejtave të Njeriut të Pakistanit (HRCP) dhe organizatës për të drejtat e grave Sindh Suhai Sath, nga 1 janari deri më 20 qershor të këtij viti janë regjistruar 112 vrasje “për nder” të grave në Sindh.
Duke iu referuar të dhënave të policisë, HRCP-ja dokumentoi të paktën 470 vrasje “për nder” në Pakistan gjatë vitit 2025, prej të cilave 126 në Sindh. Organizatat për të drejtat e njeriut thonë se numri real ka të ngjarë të jetë edhe më i lartë, veçanërisht në distriktet e largëta, ku vdekjet mund të mos raportohen ose të klasifikohen gabimisht si vetëvrasje apo aksidente.
Sindh Suhai Sath thotë se trupat e 30 grave të paidentifikuara u gjetën pranë portave të sistemit të ujitjes Sukkur Barrage gjatë vitit 2024. Organizata beson se disa prej tyre mund të kenë qenë viktima të dhunës ”për nder”, megjithëse rrethanat e vdekjes së tyre mbeten të paqarta.
Asad Raza, zëvendësinspektor i përgjithshëm i policisë, i cili ka shërbyer si shef policie në distriktet Ghotki, Kashmore dhe Jacobabad, thotë se vrasjet “për nder” janë të rrënjosura në struktura patriarkale të ngulitura thellë, ku gratë shpesh trajtohen si pronë e të afërmve burra.
Shtypja e grave Ai shton se akuzat për “kari” përdoren ende, ndonjëherë për të zgjidhur konflikte mbi tokën, trashëgiminë ose rivalitetet fisnore. “Një grua mund të shpallet ‘kari’ jo sepse ka prova kundër saj, por sepse kjo krijon një pretekst për ta vrarë dhe për t’i marrë pronën ose për të përfituar kompensim”, thotë Raza.
Sipas tij, të njëjtat qëndrime patriarkale ndikojnë shpesh edhe në hetimet penale. “Viktima është grua, i akuzuari zakonisht është burrë, ata që bëjnë akuzat janë burra, pleqtë e komunitetit që vendosin për mosmarrëveshjen janë burra dhe shpesh edhe oficeri hetues është burrë, i rritur me të njëjtin mentalitet shoqëror”, thotë ai.
Raza thekson se nevojitet përfshirje më e madhe e grave në hetimin dhe gjykimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore. “Vetëm rritja e dënimeve nuk do t’u japë fund këtyre krimeve. Ajo që ka rëndësi është zbatimi i vazhdueshëm dhe i njëjtë i ligjit”.
Shazia Nizamani, një avokate e lartë që ka përfaqësuar familjet e viktimave, thotë se ndjekja penale është veçanërisht e vështirë kur i akuzuari është një i afërm i ngushtë.
Edhe Botë “Nëse flemë, ata na kafshojnë” – Brejtësit mbushin kampet e banorëve të zhvendosur të Gazës Dëshmitarët shpesh hezitojnë të dëshmojnë, ndërsa familjet përballen me presion për të tërhequr paditë ose për të arritur marrëveshje joformale.
Khawaja Naveed Ahmed, një gjykatës në pension, thotë se proceset për vrasjet “për nder” shpesh dështojnë për shkak të hetimeve të dobëta dhe paraqitjes së dobët të çështjeve nga prokuroria gjatë gjykimit. Sipas tij, disa raste lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me interesa të fuqishme feudale, ku krerët fisnorë dhe pronarët e mëdhenj të tokave ushtrojnë ndikim politik.
“Duhet të ekzistojë një mekanizëm i koordinuar ndërmjet hetuesve, prokurorëve dhe gjyqësorit në mënyrë që përgjegjësit të mbahen përgjegjës”, thotë ai. Khalida u varros në fshatin e familjes së saj, por rreth 80 kilometra larg ndodhet varreza e largët Fattu Shaheed, e njohur si Kariyan-jo-Qabristan, varreza e grave të shpallura “kari”.
Dhjetëra varre të vjetra, kryesisht pa shenja identifikuese, shtrihen në këtë vend varrimi të mbuluar nga pluhuri. Një gazetar nga Sindhi thotë se varrimet e grave të shpallura “kari” janë bërë më të rralla vitet e fundit, por varreza mbetet një kujtesë e zymtë e kësaj dhune. Kur varrimet ndodhin, ato kryhen shpesh natën dhe varret lihen pa shenjë.
Askush nuk pranon të flasë publikisht, nga frika e ndikimit të figurave të fuqishme fisnore. Jo të gjitha gratë e akuzuara si “kari” vriten pasi disa arrijnë të shpëtojnë. Ikja për pak siguri Shahzadi (emri i është ndërruar për arsye sigurie), një mësuese 35-vjeçare, u largua nga fshati pasi u martua me burrin që dashuronte, kundër dëshirës së familjes së saj.
Ajo thotë se një këshill fisnor vendosi që ajo dhe bashkëshorti i saj meritonin të vdisnin, duke i detyruar të fshiheshin. Prej vitesh ata janë zhvendosur nga një shtëpi me qira në tjetrën me tre fëmijët e tyre, duke u treguar rrallë fqinjëve emrat e tyre të vërtetë. “Nuk e di nëse do të jem ende gjallë nesër”, thotë ajo.
“Çdo trokitje në derë më bën të mendoj se më në fund na kanë gjetur”. Dikur ajo ëndërronte të arsimonte vajzat në fshatin e saj. Tani përparësia e saj e vetme është t’i mbajë fëmijët e saj të sigurt. “Nuk ka asnjë vend ku ndihem e sigurt”, thotë ajo. “Nuk qëndrojmë askund për shumë kohë, sepse e dimë se ata ende po na kërkojnë”.
Në një rast tjetër, në maj të këtij viti, pasi një çift u martua në distriktin Jacobabad, burra të armatosur dyshohet se dogjën më shumë se 100 shtëpi në fshatin e dhëndrit, raportoi gazeta “Dawn”. Sulmi tregoi se si mosmarrëveshjet mbi martesën dhe “nderin” mund të përshkallëzohen në ndëshkim kolektiv, duke bërë që komunitete të tëra t’i vuajnë pasojat.
Naseer Memon, shkrimtar dhe analist shoqëror, thotë se këto vrasje nuk kanë të bëjnë me nderin, por me kontrollin mbi gratë dhe, në disa raste, me mohimin e të drejtës së tyre për trashëgimi dhe pronë. Kjo praktikë vazhdon, sipas tij, sepse dhuna e kryer në emër të traditës ende gjen pranim në disa komunitete. “Kjo nuk është një vrasje ‘për nder’”, thotë ai.
“Është një brutalitet i pakontrolluar që kryhet pa frikë nga ndëshkimi”. Asad Iqbal Butt, kryetar i HRCP-së, thotë se vrasjet në emër të nderit pasqyrojnë dështimin e shtetit. “Nëse shteti vendos sundimin e ligjit dhe përmbush përgjegjësinë e tij për të mbrojtur gratë, shumë prej këtyre jetëve mund të shpëtohen”, thotë ai.
Edhe Botë Një palestinez përballë dy epokave të shkatërrimit E në Tando Masti, Nabul thotë se nuk do ta kapërcejë kurrë vrasjen e vajzës së saj. “Njerëzit thonë se koha e lehtëson dhimbjen”, thotë ajo. “Por si mund ta harrojë ndonjëherë një nënë që vajza e saj u vra? Unë jetoj me atë dhimbje çdo ditë”, shton ajo.
