Punonjësit e ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, të asistuar nga Policia e Kosovës, kanë zhvilluar të enjten në mëngjes një aksion në zonën e Ujmanit, ku është rrethuar me shirit sigurie moteli “Jezero”.
Për Telegrafin, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar se Policia është duke asistuar në këtë aksion, i cili po zhvillohet në bashkëpunim me institucionet përkatëse. Elshani ka bërë të ditur se Policia po e asiston ndërmarrjen “Ibër-Lepenci”, si dhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës gjatë këtij procesi.
Aksioni është ndërmarrë pasi ka skaduar afati i vendosur nga “Ibër-Lepenci” për shfrytëzuesit e objektit që ta lirojnë pronën, për të cilën ndërmarrja pretendon se është uzurpuar. Në zonën e Ujmanit janë parë të angazhuar punonjës të “Ibër-Lepencit” dhe zyrtarë policorë, ndërsa objekti është rrethuar me shirit sigurie.
Ndërmarrja publike “Ibër-Lepenci” kishte njoftuar më herët për kërkesën për lirimin e pronës, duke pretenduar se bëhet fjalë për shfrytëzim të paautorizuar të saj.
