Profili i njohur me emrin “Lule Gjeli”, i cili për një kohë të gjatë ka publikuar përmbajtje sulmuese ndaj figurave publike, politikanëve dhe mediave, ka nisur të fshijë një numër të madh postimesh nga llogaria e tij në Facebook.
Nga mijëra publikime që ndodheshin në këtë profil, raportohet se janë larguar mbi 3 mijë postime, ndërsa më herët pjesa më e madhe e përmbajtjeve kishin në fokus persona që kishin kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ose Lëvizjen Vetëvendosje.
Lëvizja për fshirjen e përmbajtjeve vjen në kohën kur institucionet e hetuesisë po merren me rastin dhe po punojnë për identifikimin e personit apo personave që qëndrojnë pas këtij profili. Dyshohet se administratori i profilit ka përdorur identitete të ndryshme gjatë veprimtarisë së tij online.
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka deklaruar më herët se në vitin 2021 ishte takuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një person që kishte kërkuar takim në emër të profilit “Lule Gjeli”. Abazi ka bërë të ditur se është i gatshëm të japë dëshminë e tij para Prokurorisë në kuadër të hetimeve për këtë çështje.
Autoritetet pritet të japin më shumë detaje pasi të përfundojnë veprimet hetimore për zbardhjen e identitetit të administruesit të profilit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
