Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryetares së Kuvendit serb, Ana Bërnabiq, duke i cilësuar ato si vazhdim të gjuhës së mohimit, urrejtjes dhe propagandës së regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Përmes një reagimi të publikuar të mërkurën, Haxhiu tha se derisa familjet në Kosovë ende presin zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, zyrtarët serbë vazhdojnë të mohojnë shtetësinë e Kosovës dhe të ripërsërisin pretendimet territoriale ndaj saj.
Sipas saj, Serbia nuk mund të pretendojë se është e përkushtuar ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve, ndërkohë që nuk hap arkivat për personat e zhdukur, nuk bashkëpunon për zbardhjen e krimeve të luftës dhe vazhdon ta trajtojë Kosovën si territor të vetin.
Haxhiu theksoi se Republika e Kosovës është shtet i pavarur që nga 17 shkurti 2008, ndërsa rikujtoi se në vitin 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Ajo shtoi se Kosova është njohur nga 121 shtete, është anëtare e dhjetëra organizatave dhe mekanizmave ndërkombëtarë dhe vazhdon ta forcojë pozitën e saj në arenën ndërkombëtare. Në fund të reagimit, Haxhiu u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian që ta dënojnë qartë, siç e quajti ajo, gjuhën shoviniste, revizioniste dhe nxitëse të zyrtarëve serbë.
“Republika e Kosovës është shtet sovran dhe demokratik, i ndërtuar mbi vullnetin e qytetarëve të saj dhe i orientuar drejt integrimit euroatlantik. As Vuçiqi, as Bërnabiqi dhe asnjë ideologji e dështuar e së kaluarës nuk mund ta zhbëjnë këtë realitet”- citohet të ketë deklaruar Haxhiu.
Vuçiq më 25 korrik, gjatë ceremonisë së promovimit të oficerëve më të rinj të Ushtrisë së Serbisë në Beograd, deklaroi se forcimi i ushtrisë, ruajtja e neutralitetit ushtarak dhe mbrojtja e integritetit territorial janë ndër prioritetet kryesore shtetërore të Serbisë.
Duke iu drejtuar oficerëve të rinj, Vuçiq tha se betimi që ata kanë bërë i obligon të respektojnë Kushtetutën e Serbisë dhe të mbrojnë integritetin territorial të vendit. Ai shtoi se si ata, ashtu edhe udhëheqja shtetërore, do të përballen me presione të ndryshme, por se ruajtja e integritetit territorial ka rëndësi parësore.
Ai përsëriti qëndrimin zyrtar të Beogradit se Kosova është pjesë e Serbisë, duke iu referuar Kushtetutës së Serbisë dhe, siç u shpreh ai, “drejtësisë së Zotit”.
Bashkimi Evropian (BE) bëri thirrje që të shmangen deklaratat që nuk ndihmojnë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke theksuar se dialogu është e vetmja rrugë drejt përparimit në rrugën evropiane, ka raportuar Radio Evropa e Lirë. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës, e cila u shpall më 2008.
Kosova dhe Serbia janë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011. Ky proces fillimisht kishte nisur për çështje teknike, për të kaluar më pas në nivel politik.
