Një sasi e madhe municioni është zbuluar dhe sekuestruar nga zyrtarët e Doganës së Kosovës gjatë një aksioni kundër kontrabandës në rajonin e Prishtinës. Sipas njoftimit, zyrtarët e Sektorit Antikontrabandë kanë ndaluar për kontroll një automjet të dyshimtë në autostradën Trudë-Prishtinë, ku gjatë inspektimit kanë dyshuar për hapësira të modifikuara brenda mjetit.
Kontrolli i detajuar ka zbuluar hapësira të fshehura të ndërtuara pas fabrikimit, ku ishin vendosur 2 mijë e 550 fishekë të kalibrit 9 milimetra. Pas përfundimit të veprimeve fillestare, automjeti, municioni dhe personi i dyshuar i janë dorëzuar Policisë së Kosovës, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe qëllimin e transportimit të municionit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
