Shpërndaje në: Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka kërkuar llogaridhënie të menjëhershme dhe të pashmangshme nga Komuna e Prishtinës pas rrëzimit të një vinçi në një vendpunishte, ku një 26-vjeçar vdiq e një 18-vjeçar mbeti i lënduar. Pacolli ka shprehur ngushëllimet për familjen e viktimës dhe ka uruar shërim të shpejtë për të lënduarin.
“Me trishtim dhe keqardhje të thellë mora lajmin tragjik për humbjen e një jete dhe lëndimin e rëndë të një qytetari sot në një kantier ndërtimi në Prishtinë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes për këtë humbje të madhe, ndërsa të lënduarit i uroj shërim të shpejtë dhe të plotë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Sipas saj, ky është incidenti i katërt me rrezik jete dhe dëmtim prone që ndodh së fundmi në Prishtinë. “Ky është incidenti i katërt me rrezik jete dhe dëmtim prone që ndodh së fundmi pikërisht në Prishtinë, dhe është e papranueshme që askush nuk duket se po mendon për adresimin e përgjegjësisë”, ka deklaruar Pacolli.
Ajo ka theksuar se përgjegjësia kryesore për lejimin, mbikëqyrjen e sigurisë dhe parandalimin e rasteve të tilla bie mbi Inspektoratin Komunal të Ndërtimit dhe Komunën e Prishtinës.
“Në cilësinë e Ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, theksoj se përgjegjësia kryesore dhe e drejtpërdrejtë për lejimin, mbikëqyrjen e sigurisë dhe parandalimin e këtyre rasteve bie mbi Inspektoratin Komunal të Ndërtimit dhe vetë Komunën e Prishtinës. Këto dështime të njëpasnjëshme të nivelit lokal kërkojnë llogaridhënie të menjëhershme dhe të pashmangshme”, ka shtuar ajo.
Edhe Kronikë 4 mar 2026 Ndalohet reperi Mossi për sulm ndaj gazetarit Pacolli, dyshohet edhe për vepra tjera penale Pacolli ka bërë të ditur se ministria është duke verifikuar çdo lëshim të mundshëm dhe se do të kërkojë që çdo shkelës të japë llogari para ligjit.
Po ashtu, ajo u ka bërë thirrje odave profesionale që të vlerësojnë urgjentisht nëse ka pasur mungesë profesionalizmi dhe, nëse konstatohet, të marrin masa disiplinore deri në revokimin e licencave për profesionistët përgjegjës. “Siguria e qytetarëve, pronës dhe standardeve të ndërtimit është e panegociueshme. Nuk do të ketë kompromis me askënd”, ka përfunduar Pacolli.
