Real Madridi po e rishikon të ardhmen e Endrickut dhe nuk përjashtohet mundësia që sulmuesi brazilian të largohet sërish në huazim para mbylljes së afatit kalimtar veror.
Sipas Marca, drejtuesit madrilenë janë të shqetësuar se 20-vjeçari mund të mos ketë hapësirën e nevojshme për të luajtur rregullisht sezonin e ardhshëm, sidomos nëse realizohet transferimi i pritshëm i Yan Diomandes në “Santiago Bernabéu”.
Trajneri Jose Mourinho fillimisht kishte planifikuar ta mbante Endrickun në skuadër, por klubi tashmë po vlerëson nëse një tjetër huazim do të ishte zgjidhja më e mirë për zhvillimin e tij. Endrick la përshtypje pozitive gjatë periudhës së tij te Lyon në pjesën e dytë të sezonit të kaluar, duke forcuar bindjen e Real Madridit se ai mbetet një projekt afatgjatë për klubin.
Megjithatë, me konkurrencën që pritet të rritet në repartin ofensiv, drejtuesit e Realit nuk duan të rrezikojnë që progresi i tij të ngadalësohet për shkak të mungesës së minutave. Ende nuk ka një vendim përfundimtar, por “Los Blancos” po peshojnë mundësinë e një largimi të përkohshëm për ta ndihmuar brazilianin të fitojë më shumë përvojë dhe hapësirë në fushë./ Telegrafi
