Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së, pritje të mëdha dhe frikë nga

0%

Lidhja Demokratike e Kosovës njoftoi se kryetari i partisë ka marrë vendim për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, pasi është përmbushur kriteri statutar i nënshkrimeve të së paku një të tretës së delegatëve. Kuvendi i Jashtëzakonshëm do të mbahet të enjten, më 30 korrik.

Më vonë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, reagoi përmes një postimi në Facebook, ku e cilësoi kuvendin e 30 korrikut si “të panevojshëm, të pakohë dhe të pavend”. Megjithatë, ai theksoi se, ndonëse e konsideron këtë proces “të dëmshëm dhe përçarës”, vendosi ta thërrasë kuvendin në respekt të demokracisë. “Si të tillë, më duhet ta pranoj. Edhe kur nuk më duket e drejtë.

Unë e respektoj demokracinë, sepse e besoj. Prandaj ballafaqohem. Pres të sillen njëjtë edhe të tjerët pas të enjtes, kur LDK flet përsëri”, shkroi Abdixhiku.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Gecaj: Besoj se nga ky Kuvend do të nisë një kapitull i ri, jo vetëm për LDK-në, por edhe për Kosovën Anëtari i LDK-së Bajram Gecaj, për “Bota sot”, thotë se pret që Kuvendi i Jashtëzakonshëm të sjellë reflektim, ndryshim dhe energji të re për LDK-në. Sipas tij, mund të ketë pakënaqësi, por nuk pret përçarje, duke besuar se ky kuvend do të hapë një kapitull të ri për partinë dhe Kosovën.

“Nga Kuvendi i Jashtëzakonshëm pres që Lidhja Demokratike e Kosovës ta dëshmojë edhe një herë se është partia e vetme serioze në Kosovë që ka ndërtuar procedura, kulturë dhe frymë të mirëfilltë demokratike, duke e tejkaluar me pjekuri edhe çështjen e ndërrimit të lidershipit. Ndonëse jo gjithmonë pa dhimbje, ne kemi zgjedhur deri më tani tre liderë pasues të Presidentit Historik, Dr.

Ibrahim Rugova, duke u rreshtuar prapa udhëheqjes së zgjedhur, siç vepruam edhe më 31 janar të këtij viti. Prandaj, pres që të enjten ta kemi guximin të reflektojmë, të ndryshojmë dhe të ecim përpara, sepse LDK-ja ka nevojë për energji të re, strategji ndryshe, veprime më të fuqishme dhe besnikëri të palëkundur ndaj vlerave të trasuara tash e 37 vjet”, thotë ai.

Anëtari i LDK-së Bajram Gecaj Ai shtoi se mund të ketë pakënaqësi, por jo përçarje të reja, duke shprehur bindjen se Kuvendi do të shënojë fillimin e një kapitulli të ri për LDK-në dhe Kosovën. “Pakënaqësi mund të ketë, por nuk pres përçarje apo thyerje të reja, sepse LDK-ja ka nevojë për secilin prej nesh dhe për shumë të tjerë që duan t’i bashkohen.

Besoj se nga ky Kuvend do të nisë një kapitull i ri, jo vetëm për LDK-në, por edhe për Kosovën”, deklaroi ai. Tahiraj: 30 korriku do të jetë dita më sfiduese për LDK-në në gjithë periudhën e saj politike të pasluftës Lidhur me këtë temë për “Bota sot” foli veprimtari Saim Tahiraj, i cili tha se Kuvendi i Jashtëzakonshëm duhet të jetë një proces normal statutar, por vlerësoi se tensionet mes dy kampeve mund ta vështirësojnë arritjen e një rezultati që e pret anëtarësia dhe elektorati i LDK-së.

“Në një demokraci funksionale, ky Kuvend i Jashtëzakonshëm do të duhej të konsiderohej një proces krejtësisht normal, i zhvilluar në përputhje me Statutin e LDK-së. Kushdo që fiton duhet të pranohet nga të gjithë, t’i urohet suksesi dhe më pas të vazhdohet me reforma serioze në të gjitha nivelet, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme LDK-ja të garojë si një parti e bashkuar dhe e fuqishme.

Megjithatë, mbetet të shihet më 30 korrik nëse kjo mund të arrihet. Pyetja kryesore është nëse të gjithë do të jenë në gjendje të lënë mënjanë egot, inatet dhe interesat personale, duke e vendosur interesin e LDK-së mbi gjithçka. Bazuar në zhvillimet e deritanishme, nuk ka shumë hapësirë për optimizëm të plotë.

Të dy taborët tashmë janë pozicionuar në qëndrime mjaft të forta dhe, nëse nuk ulen tensionet, ekziston rreziku që ky kuvend të mos përfundojë me rezultatin që presin anëtarësia dhe elektorati”, deklaron ai.

Saim Tahiraj Krahas kësaj, Tahiraj u bëri thirrje figurave me ndikim në LDK të punojnë për unitetin e partisë, duke theksuar se drejtimi i saj duhet t’i besohet një figure konsensuale që vjen nga gjiri i LDK-së, e jo eksperimenteve politike.

“Prandaj, u bëj thirrje të gjitha figurave autoritative dhe me ndikim në LDK që të japin kontributin e tyre maksimal për ruajtjen e qetësisë, dialogut dhe unitetit demokratik. LDK-ja duhet, me çdo kusht, të dalë e bashkuar nga ky kuvend, sepse vetëm kështu mund të forcohet dhe të ecë përpara si alternativa më serioze politike.

Po ashtu, besoj se duhet të zhvillohen konsultime të gjera për të gjetur një figurë konsensuale dhe unifikuese, e cila gëzon besimin e anëtarësisë dhe mishëron vlerat e LDK-së. Nuk është koha për eksperimente me figura që nuk janë rritur politikisht brenda LDK-së ose që sapo i janë bashkuar asaj.

Figura unifikuese duhet të dalë nga gjiri i LDK-së, duke përfaqësuar identitetin, traditën dhe frymën e saj. Çdo alternativë tjetër eksperimentale rrezikon të prodhojë pakënaqësi të reja, përçarje dhe dobësim të mëtejshëm të partisë” – përfundoi ai për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot