Beogradi e pranoi humbjen në Prishtinë, Xhevat Prekazi nuk u

0%

Para 43 viteve, ishte dasmë futbolli në kryeqytetin e Kosovës. Prishtina vlonte nga atmosfera, çdo njëri pyeste për sfidën e madhe të Prishtinës së kapitenit Ramadan Cimili ndaj Partizanit të Beogradit. Fadil Muriqi, një parashikues që i la të gjithë të habitur, para ndeshjes kishte parashikuar se Prishtina do të fitonte me rezultat 2:1.

Parashikimi i tij u bë realitet më , kur Prishtina triumfoi pikërisht me rezultatin 2:1. Ky rast mbeti gjatë në kujtesën e tifozëve si një nga parashikimet më të sakta dhe më të përfolura të asaj kohe. “Në një atmosferë braziliane para 35 mijë spektatorëve, Prishtina mundi kampiinin shtetëtor Partizanin.

Lumi i spektatorëve vërshoi dyert e stadiumit bukurosh të Prishtinës që nga ora 12, kurse dyert e tempullit të futbollit u hapën një orë para se është planifikuar, pikërisht në 12.30, për të zënë kështu mbi 35.000 spektatorë, dashamirë besnikë të ngjarjes më të rëndësishme të dorës së dytë në botë, nga anembanë krahina dhe më gjerë”, kanë shkruar më 22 gusht të vitit 1983, gazetarët Abaz Dula, Burim Hatipi e Muharrem Bulliqi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“M inuta e 56-të: Goli i fitores. Prishtinasit ndërprenë një aksion diku në mesin e fushës. Cimili me hapa të gjatë avancoi nga zona e rrezikshme e mysafirëve dhe kombinoi me Rugovën, i cili mjaft bukur aktivizoi Vokrrin që, në mesin e dy futbollistëve, vraponte për të dalë në pozitë të pastër.

Pasoi reagimi me kohë dhe i saktë i Rugovës, kurse Vokrri, në vrap, pranoi topin dhe u ballafaqua me portierin e Partizanit. Në këtë ndeshje Vokrri pati disa raste të mira të cilat s’i doli t’i realizojë, porse në minutën e përmendur “lau borxhin” për të gjitha dështimet e mëparshme. Me të kota ishin përpjekjet e Stoiqit të evitonte rrezikun.

U shtri gjerë e gjatë, mirëpo topi pranë tij u fut në këndin e djathtë të portës dhe 2:1 për Prishtinën”, kanë shkruar gazetarët e asaj kohe, Prishtina – Partizani 2:1 Stadiumi i qytetit në Prishtinë. Golashënues: Mance (minuta e 15-të) 0:1, Batroviqi (33) – 1:1 dhe Vokrri (55) – 2:1.

Referuan: Slobodan Martinoviqi i Titogradit (kryesor), Mladen Stojanoviqi i Titogradit dhe Trajçe Maksoski i Prilepit (anësorë). Me karton të kuq u ndëshkua Prekazi (Partizani), kurse me të verdhin Batroviqi (Prishtina). Moti dhe terreni idealë për lojë. Shikues mbi 35.000.

Prishtina: Sllobodan Shuiça 7, Skënder Shengyli 8 (Lubisha Trajkoviqi), Shefqet Sinani 8, kapiteni Ramadan Cimili 8, Petre Gruevski 8, Favzi Rama 8, Edmond Rugova 7, Fadil Muriqi 7, Fadil Vokrri 8, Agim Cana 7 (Faruk Domi) dhe Zoran Batroviqi 8.

Partizani: Stojiq 7, Radoviqi 7, Rojeviqi 6 (Varga), Dimitrijeviqi 7 (Mashiqi 6), Jeshiqi 7, Radanoviqi 7, Smajiq 8, Zhivkoviq 5, Mance 7 dhe Xhevat Prekazi 7.Sipas gazetës “Rilindja” të datës 22 gusht të vitit 1983, “Në minutën e 53-të, mysafirët mbesin me 10 lojtarë.

Futbollisti më i spikatur i Partizanit, Xhevat Prekazi humbi nervat për shkak se ishte vazhdimisht në “shënjestrën” e Shengylit, dhe me bërryl e qëlloi mbrojtësin e Prishtinës në fytyrë. Referi ishte afër dhe s’u hamend fare kur e përjashtoi Prekazin”.

Çfarë thanë pas ndeshjes (21 gusht, 1983), Fadil Muriqi, manovrues: “Në një atmosferë impozante e me përkrahjen e parezervë të publikut tonë besnik ia arritëm të mundim hiç më pak se kampionët shtetërorë. Kam thënë se do të fitojmë me rezultat 2:1. Jam shumë i lumtur që prognoza ime u bë realitet”.

Milosh Milutinoviq, shef i shtabit profesionist të Partizanit: “Ishte kjo lojë cilësore dhe luftarake. Prishtina fitoi me meritë. Ne ishim më të mirë në pjesën e parë, kurse Prishtina në të dytën. Hendikep i madh ishte përjashtimi i Prekazit, që ndikoi në epilogun e ndeshjes, në të vërtetë që të nxjerrim rezultat të favorshëm.

Më pëlqeu loja e disa individëve të Prishtinës, sidomos e Vokrrit, për të cilin mendoj se është futbollist i cilësive të larta, si dhe Batroviqi:. Momçillo Vukotiqi, kapiten i Partizanit: “ Mendoj se loja ishte e nivelizuar. Ne ishim më të mirë në fillim, kurse Prishtina në vazhdim, sidomos pas barazimit. Përjashtimi i Prekazit ndikoi dukshëm në epilogun e takimit.

Megjithatë, ia uroj Prishtinës fitoren e dytë në elitë dhe i dëshiroj sukses edhe në ndeshjet e vazhdimit”. Sipas “Rilindjes”, “tentuam të marrim deklaratat edhe nga futbollistët tjerë të Partizanit, ndër ta edhe nga Xhevat Prekazi, por asnjëri nuk qe i disponuar të na thotë diç për ndeshjen”. Ramadan Cimili, kapiten i Prishtinës: “Loja ishte tipike kampionale.

Me përkrahjen e shikuesve tanë, që nuk i ka kush, dhe me lojë jashtëzakonisht të mirë arritëm ta mundim kampionin shtetëror”. Zoran Batroviq, realizatori i golit të parë: “ Çka të them, jam tejet i lumtur për këtë fitore të madhe. I premtova shikuesve se do ta mposhtim Stojiqin dhe këtë e bëra. Mendoj se Partizani në të gjitha elementet e futbollit ka tejkaluar.

Patëm më shumë raste, shënuam dy gola kështu që Partizani shpëtoi lehtë. Fadil Vokrri, realizatori i golit të fitores: “Ndeshja me Partizanin ishte shumë e vështirë, por edhe shumë e bukur për shikues.

Mendoj se angazhimi i të gjithëve, prej Shuicës e deri te Batroviqi, dha fryt të plotë, kurse publiku i Prishtinës u tregua edhe njëherë korrekt dhe se din të na ndihmojë për triumfin e madh kundër kampionit shtetëror. Agim Cana, manovrues: “ Ndeshje tipike kampionale. Nuk e respektuam Partizanin, por u angazhuam maksimalisht dhe e mundëm.

Kampioni me lojë të mençur avancoi, mirëpo, ne nuk u demoralizuam. Përkundrazi, fituam krahë dhe filluam të atakojmë në seri portën e Stoiqit. Dhe, siç e pat, rezultati nuk mungoi. Fituam me meritë dhe tash mendojmë për ndeshjet e vazhdimit”. Edmond Rugova, sulmues i djathtë: “Edhe para ndeshjes isha optimist për rezultat të favorshëm, siç u pa, dola prognozer i mirë.

U angazhuam në tërë fushën dhe, duke pasur përkrahjen e pashtershme të publikut besnik, dolëm fitimtar. Mendoj se kampioni kaloi jo lehtë, duke pasur parasysh rastet e panumërta që nuk i konkretizuam”.

Burimi: Bota Sot