Një incident i pazakontë është regjistruar në ambientet e Spitalit Rajonal të Lezhës, ku një 54-vjeçar ka hyrë i armatosur për të marrë mjekim, ndërsa arma që mbante me vete është shkrepur aksidentalisht gjatë qëndrimit në spital. Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, shtetasi G.
N., 54 vjeç, kishte shkuar në spital për shkak të problemeve shëndetësore, por gjatë qëndrimit aty dyshohet se nga çanta e krahut i ka rënë një armë zjarri, e dyshuar pistoletë, duke shkaktuar një shkrepje të pavullnetshme.
Pas ngjarjes, në vijim të veprimeve hetimore, policia ka shpallur në kërkim djalin e 54-vjeçarit, 18 vjeç, pasi dyshohet se ka fshehur armën e zjarrit me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës. Gjithashtu, është proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe një punonjës i Spitalit të Lezhës, me detyrë në sektorin e IT-së, shtetasi A.
V., 54 vjeç, pasi dyshohet se ka kryer veprime që kanë penguar zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Policia vijon hetimet për të dokumentuar të gjitha rrethanat e incidentit dhe për të sqaruar përgjegjësitë e personave të përfshirë.
