Reshjet e dendura të shiut që përfshinë Gjakovën më 27 korrik kanë shkaktuar dëme në disa zona, ndërsa një nga më të prekurat raportohet të jetë fshati Brekoc. Sipas raportimit të TV Syri Vision, uji ka depërtuar në shtëpinë e familjes Rajaj, duke shkaktuar dëme materiale dhe duke vështirësuar jetën e banorëve.
Pronari i shtëpisë, Nuri Rajaj, ka treguar se pas reshjeve të mëdha uji ka hyrë në pjesën e brendshme të objektit, duke dëmtuar pajisje të ndryshme. Zjarrfikësit intervenojnë në Brekoc të Gjakovës pas reshjeve të dendura “Uji ka hyrë në shtëpi dhe na ka shkaktuar dëme të mëdha. Janë dëmtuar makina e larjes së rrobave, nxehja qendrore dhe pajisje të tjera.
Edhe muret janë mbushur me ujë, ndërsa gjashtë dyer janë prishur nga depërtimi i ujit”, ka thënë Rajaj. Ai ka bërë të ditur se ky problem nuk është i ri për banorët e kësaj zone dhe se situata është përsëritur vazhdimisht ndër vite. “Ky problem po vazhdon prej më shumë se 10 vitesh.
Sa herë ka reshje të mëdha kemi dëme, ndërsa deri tani nuk është ndërmarrë ndonjë masë konkrete për ta zgjidhur këtë problem”, ka deklaruar Rajaj për TV Syri Vision. Banorët e Brekocit kanë kërkuar nga institucionet kompetente që të ndërhyjnë dhe të marrin masa parandaluese, në mënyrë që situata të mos përsëritet pas çdo reshjeje të madhe.
