Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim Benjamin Haddad, ministër i Deleguar për Evropën nga Franca. Pas takimit u nënshkruan marrëveshje për ekstradim, për ndihmë juridike penale, për kredi për mbështetjen për investime infrastrukturore për Lojërat Mesdhetare, si dhe marrëveshje administrative për mësimdhënien e gjuhës frënge në Kosovë.
Në një konferencë për media pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve – njëra pret të cilave u nënshkrua së bashku me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati – Konjufca tha se Franca mbetet partner i rëndësishëm i Kosovës dhe shtyllë e projektit të integrimit evropian të vendit.
“Marrëveshjet dhe letra e qëllimit tregon se Franca dhe Kosova po i ngrehin në dimension të ri marrëdhëniet e tyre bilaterale”- tha Konjufca para mediave. Ai falënderoi Francën për bashkëpunimin por edhe për mbështetjen për Lojërat Mesdhetare 2030. Konjufca tha se me Haddad folën edhe për pespektivën evropiane të Kosovës dhe se si Kosova është në linjë me BE-në për sigurinë.
“Kosova ka bërë zgjedhjen e saj strategjike dhe zgjedhja jonë është Evropa, Bashkimi Evropian. Retorika që i relativizon krimet e viteve 90-ta, siç po ndodh nga Serbia, janë jo vetëm provokim por janë të papranueshme dhe të papërputhshme me vlerat e qytetërimit dhe demokracisë. Nuk mund të kenë vend ato në Evropën demokratike.
Paqja e qëndrueshme nuk mund të ndërtohet mbi mohimin e të kaluarës apo mbi thirrjet për përsëritjen e saj”- tha Konjufca duke shtuar se Kosova po investon në sigurinë e vendit dhe të rajonit dhe se mbetet e përkushtuar ndaj paqes e dialogut dhe ruajtjes së vlerave të demokracisë. Konjufca kërkoi që me Francën të shtohet bashkëpunimi në ekonomi dhe kulturë.
Duke folur për zjarret në Francë, ai përmendi gatishmërinë e Kosovës që me kapacitetet e saj të qëndrojë krah Francës, siç edhe deklaroi u.d presidentja Albulena Haxhiu më .
Benjamin Haddad në anën tjetër ka thënë se përtej miqësisë me Kosovën që është e kamotshme, që prej 30 vjetëve, kur Kosova po synonte të gjente zgjidhje për gjendjen e saj nga Konferenca e Rambujesë, Franca ka qenë ndër të parat që e njohu edhe Pakon e Ahtisaarit. “Jam i lumtur që nënshkruam 5 marrëveshje që të punojmë në agjendë pozitive.
Këto marrëveshje janë konkrete dhe shtrojnë rrugën për të forcuar bashkëpunimin”- tha Haddad. Ai ka thënë se me Kosovën mund të shtohet bashkëpunimi në ekonomi dhe tregti.
Haddad tha se mbështetja që Agjencia për Zhvillim e Francës i jep Kosovës veçse është e madhe: 80 milionë për tranzicion të energjisë dhe se sapo u nënshkrua kredia prej 60 milionësh për renovimin e konvikteve që do të përdoret si vend i banimit për Lojërat Mesdhetare. Ai ka shtuar se janë të gatshëm të ndihmojnë Kosovën edhe në projekte tjera.
“Kam ardhur po ashtu për të eksploruar me qeverinë e Kosovës mundësitë se si të avancohen pranimet në organizata ndërkombëtare dhe për Këshillin e Evropës. Do të vazhdojë të punojë në këtë që të bëhet realitet shumë shpejtë”- tha Haddad. Haddad u prit më nga negociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj.
“Kosova qëndron në solidaritet me Francën ndërsa ajo lufton zjarret e tmerrshme pranë Bordeaux. Jemi të bashkuar dhe aleatë.”- shkroi Zulfaj në platformën X.
