Arijon Ibrahimoviq duket se është gati të marrë shansin më të madh në karrierën e tij, pasi Bayerni planifikon ta integrojë në ekipin e parë për sezonin e ri. Sipas mediumit gjerman Kicker , 20-vjeçari me rrënjë nga Kosova konsiderohet një alternativë serioze për repartin ofensiv të kampionit gjerman, ndërsa trajneri Vincent Kompany pritet t’i japë hapësirë për të dëshmuar vlerat e tij.
Në fillim të këtij muaji, Ibrahimoviq rinovoi kontratën me Bayernin deri në vitin 2028. Pas tri periudhave huazimi, ai tashmë synon të fitojë një vend të qëndrueshëm në skuadrën e parë bavareze. Sezonin e kaluar, sulmuesi u paraqit në 32 ndeshje me Heidenheimin në Bundesligë, duke realizuar dy gola dhe shtatë asistime.
Ndërkohë, javën e kaluar ai u rikthye në fanellën e Bayernit në një ndeshje miqësore ndaj Wehenit. Sipas raportimeve, Ibrahimoviq pritet të aktivizohet kryesisht në krahun e majtë të sulmit si mbështetje për Luis Diaz.
Planet e Bayernit ndryshuan pasi dështoi transferimi i Anthony Gordon, ndërsa afrimi i Ismail Saibarit për rolet qendrore i hapi më shumë hapësirë talentit me rrënjë nga Kosova. Në klubin bavarez besojnë se Ibrahimoviq ka motivimin dhe cilësitë për ta shfrytëzuar këtë mundësi, ndërsa gjatë pushimit dimëror do të bëhet një vlerësim i rolit të tij në skuadër.
Ibrahimoviq ka përfaqësuar të gjitha grupmoshat e Gjermanisë dhe së fundmi ka luajtur për U21, por mbetet ende i kualifikueshëm për ta përfaqësuar Kosovën në nivelin A. Nëse siguron minuta të rregullta te Bayerni, ai mund të bëhet kandidat edhe për Kombëtaren e Gjermanisë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
