“A Scream in the Dark / Britmë në Errësirë”, produksion nga Brazili, dëshmoi se teatri, kur bashkon artin me të vërtetën historike, shndërrohet në një akt të fuqishëm kujtese, ndërgjegjësimi dhe rezistence. Mbrëmë, në ambientin autentik të Burgut të Qytetit në Prizren, publiku përjetoi një nga ngjarjet më të fuqishme artistike të këtij edicioni të PrizrenFest.
Shfaqja teatrore “A Scream in the Dark / Britmë në Errësirë”, produksion nga Brazili, dëshmoi se teatri, kur bashkon artin me të vërtetën historike, shndërrohet në një akt të fuqishëm kujtese, ndërgjegjësimi dhe rezistence.
E vendosur në hapësirën simbolike të një burgu, aty ku muret mbajnë jehonën e dhimbjes dhe privimit të lirisë, shfaqja krijoi një përvojë të rrallë artistike, ku kufiri mes skenës dhe realitetit pothuajse u zhduk.
Publiku nuk ishte vetëm spektator, por dëshmitar i një rrëfimi që depërtoi thellë në ndërgjegje dhe që, siç u dëshmua edhe nga reagimet në fund të shfaqjes, askënd nuk e la të largohej i njëjti njeri që kishte hyrë.
Me një interpretim artistik të jashtëzakonshëm, të mbështetur mbi një gjuhë skenike shumëdimensionale, aktoret sollën me ndjeshmëri dhe intensitet historitë e vërteta të grave të burgosura, të torturuara dhe të dhunuara gjatë regjimit ushtarak në Brazil.
Çdo lëvizje, çdo heshtje dhe çdo britmë në skenë u shndërruan në dëshmi të dhimbjes njerëzore, duke e ngritur shfaqjen përtej një realizimi teatror, në një manifest universal kundër dhunës dhe harresës. Forca e kësaj vepre qëndron pikërisht në aftësinë e saj për të tejkaluar kufijtë gjeografikë dhe historikë. Historia e grave braziliane u bë menjëherë edhe historia jonë.
Për publikun kosovar ishte e pamundur të mos kujtoheshin rrëfimet e grave shqiptare të burgosura, të torturuara dhe të dhunuara në burgjet e ish-Jugosllavisë dhe të regjimit serb, deri në luftën e fundit në Kosovë. Janë plagë që ende kërkojnë drejtësi të plotë, histori që vazhdojnë të presin dënimin e krimeve dhe njohjen e plotë të vuajtjeve të mijëra grave.
Në këtë kontekst, “Scream in the Dark” nuk ishte vetëm një shfaqje për Brazilin. Ajo u shndërrua në një kujtesë kolektive për të gjitha shoqëritë që kanë përjetuar shtypje, dhunë dhe terror shtetëror. Ajo dëshmoi se arti ka detyrimin moral të ruajë kujtesën, të sfidojë harresën dhe të mbajë të gjalla historitë e atyre që për dekada janë detyruar të heshtin.
PrizrenFest, edhe këtë vit, konfirmoi misionin e tij për të sjellë në Kosovë vepra artistike që nuk ofrojnë vetëm estetikë, por edhe reflektim të thellë shoqëror. Duke trajtuar tema që prekin plagë ende të hapura, festivali vazhdon të krijojë hapësira dialogu për çështje që shpesh kanë mbetur të paadresuara, ndërsa drejtësia për viktimat ende nuk ka mbërritur plotësisht.
Pikërisht kjo e bën PrizrenFest-in një platformë të rëndësishme kulturore, ku arti shndërrohet në zë të kujtesës, të së vërtetës dhe të përgjegjësisë kolektive. Në përfundim të shfaqjes, publiku shpërtheu në duartrokitje të gjata, mes emocionesh të përziera.
I tronditur nga rrëfimet autentike të grave braziliane dhe njëkohësisht thellësisht i prekur nga ngjashmëritë me historinë e Kosovës, audienca e përcolli ansamblin artistik me respekt dhe mirënjohje për një vepër që preku ndërgjegjen e secilit.
Në shenjë falënderimi për mbështetjen në realizimin e këtij bashkëpunimi ndërkombëtar, organizatorët e PrizrenFest ndanë një mirënjohje për Presidencën e Republikës së Kosovës. Mirënjohja iu dorëzua znj. Nazlie Bala, në vlerësim të kontributit të Presidencës në mundësimin e sjelljes në Kosovë të këtij produksioni të jashtëzakonshëm teatror nga Brazili.
