Paris Saint-Germaini fton dy talentët e Prishtinës në prova

0%

Dy futbollistët e talentuar të Prishtinës, Lorik Mehmeti dhe Rin Ahmeti, kanë marrë një ftesë të veçantë nga gjiganti francez Paris Saint-Germain. PSG-ja, kampioni aktual i Ligës së Kampionëve, ka ftuar zyrtarisht dy talentet e klubit kryeqytetas për të marrë pjesë në një periudhë stërvitore dhe vlerësimi në Akademinë e PSG-së.

Sipas njoftimit të Prishtinës, Mehmeti dhe Ahmeti do të qëndrojnë në kampusin e klubit francez në Poissy, ku do të stërviten dhe do të vlerësohen nga stafi i akademisë së PSG-së. Periudha stërvitore do të zhvillohet nga 27 korriku deri më .

Kjo ftesë përbën një mundësi të rëndësishme për dy futbollistët e rinj, të cilët do të kenë mundësinë të tregojnë aftësitë e tyre në një prej akademive më të njohura të futbollit evropian. Prishtina e ka cilësuar ftesën si një vlerësim për cilësinë, potencialin dhe punën e vazhdueshme të dy futbollistëve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në njoftimin e klubit theksohet gjithashtu se kjo është dëshmi e punës që po bëhet në riorganizimin dhe avancimin e akademisë së të rinjve të Prishtinës, me fokus në identifikimin, zhvillimin dhe promovimin e talentëve. ‘Bardhekaltrit’ synojnë që në të ardhmen akademia të shërbejë si një bazë e rëndësishme për ekipin e parë, me futbollistët e rinj të klubit që pritet të kenë rol gjithnjë e më të madh.

Mehmeti dhe Ahmeti tashmë kanë përpara një periudhë të rëndësishme, pasi për rreth dy javë do të kenë mundësinë të punojnë në ambientet e akademisë së PSG-së dhe të tregojnë potencialin e tyre para trajnerëve dhe skautëve të klubit francez./ Telegrafi

Burimi: Telegrafi