Qeveria e Kosovës ka themeluar Këshillin Kombëtar të Arteve. Themelimi i këtij këshilli është bërë të premten, më nga Qeveria në detyrë dhe pas propozimit të kandidatëve të nominuar nga ministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit (MKT), Saranda Bogujevci.
Ministrja Bogujevci përmes një postimi në Facebook ka thënë se themelimi i Këshillit Kombëtar të Arteve është një hap i rëndësishëm në zbatimin e reformës në fushën e artit dhe kulturës. “Sot, në mbledhjen e Qeverisë, u miratua përbërja e parë e Këshillit Kombëtar të Arteve, një hap i rëndësishëm në zbatimin e reformës në fushën e artit dhe kulturës.
Këshilli do të përbëhet nga profesionistë të dëshmuar nga fusha të ndryshme të artit dhe kulturës, të cilët do të kontribuojnë në zhvillimin e politikave kulturore dhe avancimin e jetës artistike në vend”- ka shkruar ajo.
Sipas saj, themelimi i këtij këshill është një moment i rëndësishëm për ndërtimin e një sistemi kulturor më profesional, më transparent dhe më gjithëpërfshirës, në shërbim të artistëve, institucioneve kulturore dhe qytetarëve.
Përbërja e parë e Këshllit Kombëtar të Arteve, përbëhet prej: Yll Rugova, përfaqësues nga fusha e arteve pamore; Baki Jashari, përfaqësues nga fusha e muzikës klasike dhe operës; Visare Aliu, përfaqësuese nga fusha e teatrit; Afrim Spahiu, përfaqësues nga fusha e filmit dhe fusha audiovizuale; Ardianë Pajaziti, përfaqësuese nga fusha e letërsisë dhe librit; Visar Munishi, përfaqësues nga fusha e këngëve dhe valleve folklorike; Aulona Nuhiu, përfaqësuese nga fusha e baletit dhe vallëzimit modern; Alberta Troni, përfaqësuese nga institucionet akademike dhe kërkimore në fushën e artit dhe kulturës; Arif Muharremi, përfaqësues nga sektori i pavarur kulturor që përfshin organizatat, institutet dhe shoqatat e fushës së artit dhe kulturës dhe fushat e ndërlidhura me kulturën; Artnet Haskuka, përfaqësuese nga fushat e ndërlidhura me kulturën, si dizajni, arkitektura apo fusha të ndërlidhura me industrinë kreative; Visar Haxhibeqiri, përfaqësues i administratës nga Ministria e Kulturës.
Sipas Ligjit për Artin dhe Kulturën , neni 19, Këshilli Kombëtar i Arteve është organ këshillëdhënës, përzgjedhës dhe mbikëqyrës, i cili emërohet dhe shkarkohet nga Qeveria e Kosovës me propozimin e ministrit të Kulturës. Mandati i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Arteve është pesëvjeçar.
Këshilli përbëhet nga njëmbëdhjetë anëtarë, të cilët zgjidhen pas ftesës publike të MKT-së për nominim të përfaqësuesve nga të gjitha fushat e artit dhe kulturës dhe fushat e ndërlidhura me kulturën.
Nominimet për anëtarë të Këshillit bëhen nga institucionet qendrore të artit dhe kulturës, institucionet akademike, arsimore e shkencore, organizatat joqeveritare të fushës së artit dhe kulturës dhe organizmat e tjerë relevantë të fushës së artit dhe kulturës dhe fushave të ndërlidhura me kulturën.
Po sipas Ligjit për Artin dhe Kulturën, Këshillit Kombëtar të Arteve ka përgjegjësi të analizojë, rekomandojë dhe të jap sugjerime në krijimin e politikës kulturore; bën propozime për zhvillimin dhe përmirësimin e veprimtarive kulturore e shqyrton dhe jep rekomandime për strategjinë zhvillimore kulturore, etj.
Gjithashtu, ky këshill udhëheq procedurën e rekrutimit të drejtorëve të institucioneve publike të artit dhe kulturës në nivel qendror; i propozon ministrit emrat e kandidatëve të kualifikuar për drejtorë të institucioneve publike qendrore të artit dhe kulturës. “Bazuar në vlerësimin e performancës së drejtorëve mund të iniciojë procedurën për shkarkimin e tyre” – thuhet në ligj.
Këshilli, sipas ligjit, përcjell punën e institucioneve publike lokale të artit dhe kulturës dhe në bazë të performancës së tyre, programeve vjetore, projekteve specifike dhe lartësisë së financimit nga komunat përkatëse rekomandon nivelet e financimit për institucionet lokale të artit dhe kulturës nga buxheti i ministrisë.
Ndër të tjera, ky Këshill, i propozon ministrit emrat për juritë profesionale për ndarjen e çmimeve në fushat përkatëse në art, kulturë e muzeologji.
