Kancelari gjerman Friedrich Merz ka nisur një riorganizim të kabinetit qeveritar, duke emëruar sekretarin e përgjithshëm të Unionit Kristian Demokrat (CDU), Carsten Linnemann, në postin e ministrit të Shëndetësisë. Linnemann do të marrë vendin e Nina Warken, e cila do të transferohet në detyrën e ministres për Çështje të Posaçme dhe drejtuese e Kancelarisë Federale.
Gjatë një deklarate në kopshtin e Kancelarisë, Merz bëri të ditur se ky është vetëm hapi i parë i ndryshimeve në qeveri, ndërsa njoftoi se pas përfundimit të pushimeve verore priten edhe lëvizje të tjera në kabinet. “Do të ketë ndryshime të tjera në qeverinë federale.
Do t’ju informoj në kohën e duhur”, u shpreh kreu i CDU-së, duke shtuar se vendimet e ardhshme do të merren me kujdes dhe pas konsultimeve të nevojshme. Mediet gjermane raportojnë se një nga postet që mund të preket nga ndryshimet është edhe ai i ministrit të Transportit, Patrick Schnieder.
Sipas agjencisë gjermane të lajmeve dpa, Merz kishte planifikuar zëvendësimin e tij, por kandidati i propozuar, deputeti i CDU-së Fritz Guntzler, u tërhoq në momentet e fundit. Kancelari nuk dha detaje nëse riformatimi i ardhshëm përfshin edhe ministrinë e Transportit, ndërsa as ai dhe as zyra e tij nuk komentuan raportimet e mediave.
Pas njoftimit për ndryshimet, Merz nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve. Sipas dpa-së, edhe Schnieder dhe Guntzler nuk ishin të arritshëm menjëherë për të dhënë një koment. Burime të tjera bëjnë të ditur se ndryshime të mundshme mund të prekin edhe strukturat e Kancelarisë, përfshirë postin e ministres së Shtetit për Sportin, Christiane Schenderlein.
