Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka njoftuar një riorganizim të kufizuar të kabinetit qeveritar, duke lënë të kuptohet se në javët në vijim do të pasojnë edhe ndryshime të tjera në përbërjen e qeverisë federale. Lëvizjet u nxitën pas dorëheqjes së Jens Spahn nga posti i kreut të grupit parlamentar të CDU/CSU-së.
Spahn u përball me kritika të forta pasi u bë publik fakti se ai dhe partneri i tij u bënë prindër përmes një nëne zëvendësuese në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që kjo praktikë është e ndaluar në Gjermani. Polemikat u shtuan edhe për shkak se vetë Spahn ishte shprehur vazhdimisht kundër shtatzënisë së zëvendësuar në deklaratat e tij publike.
Merz, në bashkëpunim me kreun e CSU-së, ka propozuar Torsten Frei, aktualisht shef i Kancelarisë, për të marrë drejtimin e grupit parlamentar të koalicionit CDU/CSU. Votimi për zgjedhjen e tij është planifikuar të mbahet më 29 korrik.
Në vend të Frei në krye të Kancelarisë do të emërohet Nina Warken, e cila deri tani ka drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe është vlerësuar për reformën e fundit në sistemin e kujdesit shëndetësor. Duke e prezantuar, Merz e cilësoi atë si “mbështetjen time më të rëndësishme”. Ndërkohë, Ministrinë e Shëndetësisë pritet ta marrë Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Carsten Linnemann.
Gjithashtu, ministri i Shtetit për Politikat Dixhitale, Philipp Amthor, do të transferohet në Kancelari, ku do të shërbejë si ministër i Shtetit për Marrëdhëniet mes Qeverisë Federale dhe landeve. Sipas mediave gjermane, ndryshime priten edhe në Ministrinë e Transportit.
Raportohet se Patrick Schneider mund të zëvendësohet nga deputeti i CDU-së, Fritz Güntzler, i cili aktualisht është përgjegjës për çështjet e politikës fiskale. Megjithatë, Merz nuk e konfirmoi këtë lëvizje gjatë deklaratës së tij, duke u mjaftuar me paralajmërimin se “ndryshime të tjera” do të pasojnë në qeveri.
Më herët, tabloidi gjerman BILD raportoi se kancelari është i pakënaqur me performancën e Schneiderit, veçanërisht për mungesën e progresit në projektet e infrastrukturës së transportit. Sipas të njëjtit burim, pakënaqësi ka edhe ndaj ministres së Ekonomisë, Katherina Reiche, e cila thuhet se ka marrë tashmë një “karton të verdhë” nga Kancelaria.
