Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se fundjava do të karakterizohet nga mot kryesisht i kthjellët, me diell dhe vranësira të pakta, ndërsa temperaturat do të shënojnë rritje të lehtë të dielën. Sipas parashikimit, të shtunën mbi vend do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 8 dhe 11 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 23 deri në 26 gradë Celsius. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga drejtimet veriore dhe veriperëndimore. Të dielën pritet mot me diell dhe vranësira të pakta, kryesisht në zonat malore.
Temperaturat minimale do të jenë nga 9 deri në 12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 25 deri në 31 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1–5 metra në sekondë. Qytetet më të ngrohta gjatë së dielës pritet të jenë Gjakova dhe Istogu, ku temperatura maksimale do të arrijë në 31 gradë Celsius, ndërsa në Prizren dhe Junik deri në 30 gradë.
Në Dragash do të mbizotërojnë temperaturat më të ulëta, me maksimum prej 25 gradësh. IHMK vlerëson se kushtet biometeorologjike gjatë fundjavës do të jenë përgjithësisht të favorshme për shumicën e popullsisë.
Megjithatë, në zonat më të ulëta, rritja e temperaturave deri në 30–31 gradë Celsius gjatë orëve të mesditës mund të shkaktojë ngarkesë të lehtë termike, veçanërisht për personat e moshuar, ata me sëmundje kardiovaskulare dhe grupet e tjera të ndjeshme. Instituti rekomandon hidratim të mjaftueshëm dhe shmangie të ekspozimit të zgjatur në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Edhe kushtet agrometeorologjike parashihen të jenë të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore. Megjithatë, në zonat ku temperaturat do t’i afrohen 31 gradëve Celsius, fermerëve u rekomandohet të monitorojnë lagështinë e tokës dhe të kryejnë ujitjen në orët e hershme të mëngjesit ose në mbrëmje, veçanërisht për kulturat që kanë nevojë më të madhe për ujë, si misri, domatja dhe speci.
