Skuadra e Arsimit do ta nisë sot sezonin e ri në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut me transfertën ndaj Tikveshit në Kavadar. Pas një sezoni debutues të suksesshëm në elitë, ekipi synon të renditet në pjesën e sipërme të tabelës. Trajneri Vildan Saliu u shpreh i kënaqur me punën e bërë gjatë fazës përgatitore.
“Pas disa javësh përgatitjesh intensive mund të them se jemi të kënaqur me mënyrën se si ka kaluar kjo periudhë. Futbollistët kanë punuar me përkushtim maksimal në çdo stërvitje, duke treguar disiplinë, profesionalizëm dhe dëshirë për përmirësim të vazhdueshëm ”, deklaroi Saliu.
Arsimi zhvilloi edhe disa ndeshje miqësore gjatë përgatitjeve, të cilat i shërbyen stafit teknik për të testuar idetë taktike dhe për të rritur harmoninë e skuadrës. “Rezultatet ishin të rëndësishme, por edhe më i rëndësishëm ishte progresi që tregoi ekipi nga dita në ditë. Natyrisht, ka ende elemente ku mund të përmirësohemi, gjë që është normale në fillim të sezonit”, shtoi ai.
Saliu theksoi se i gjithë ekipi është plotësisht i përqendruar te sfida e parë kundër Tikveshit. “Fokusi ynë është te ndeshja e hapjes së kampionatit në Kavadar. E respektojmë maksimalisht kundërshtarin dhe e dimë se na pret një duel i vështirë, por kemi besim te puna që kemi bërë.
Besoj se skuadra është e përgatitur fizikisht, taktikisht dhe psikologjikisht për ta nisur sezonin në mënyrën më të mirë”. Në fund, trajneri i Arsimit dërgoi një mesazh të qartë. “Do të japim maksimumin në fushë për ta përfaqësuar me dinjitet klubin, qytetin dhe tifozët tanë.
Shpresojmë që me përkushtim, karakter dhe shpirt garues të arrijmë një rezultat pozitiv në Kavadar dhe ta nisim sezonin me fitore. Arsimi dëshiron të vazhdojë zhvillimin e tij dhe të konfirmohet si një nga skuadrat që do të luftojnë për vendet e para në tabelë.” Ndeshja zhvillohet në stadiumin e qytetit në Kavadar dhe fillon në orën .
