Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se po shqyrton seriozisht mundësinë e rifillimit të operacioneve të mëdha ushtarake kundër Iranit, duke lënë të kuptohet se sulmet e mundshme mund të jenë edhe më të mëdha se ato të zhvilluara gjatë “Operacionit Epic Fury”. Në një deklaratë për Axios , Trump tha se është pranë marrjes së një vendimi.
“Po mendoj për një sulm masiv. Më i madh se çdo tjetër. Jam afër marrjes së një vendimi. Jemi gati”, u shpreh presidenti amerikan. Megjithatë, ai theksoi se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar dhe nuk dha një afat kohor se kur mund të ndodhë një veprim i tillë.
Ndërkohë, dy zyrtarë amerikanë konfirmuan se deri më tani nuk janë dhënë urdhra të rinj për ushtrinë dhe nuk është marrë asnjë vendim zyrtar për nisjen e operacioneve. Trump deklaroi gjithashtu se Irani dëshiron të negociojë, por sipas tij nuk është ende i gatshëm të arrijë një marrëveshje. “Ata nuk kanë përjetuar ende dhimbje të mjaftueshme”, tha ai.
Sipas dy burimeve rajonale të cituara nga Axios , udhëheqja iraniane nuk e ka pranuar propozimin më të fundit të ndërmjetësuesve, duke e mbajtur të bllokuar procesin diplomatik.
Përshkallëzimi i tensioneve ka ndikuar edhe në tregjet globale, ku çmimi i naftës ka kaluar kufirin e 100 dollarëve për fuçi, ndërsa një rikthim në një konflikt të gjerë ushtarak shihet me shqetësim të madh edhe brenda Shteteve të Bashkuara. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
