Një person ka mbetur i plagosur me armë zjarrin sot, më , në rrugën “Liman Shala” në Prizren. Dyshohet se të shtënat me armë kanë ardhur pas një fjalosjeje ndërmjet një personi të dyshuar në njërën anë dhe tre personave të tjerë në anën tjetër. Zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Prizrenit, toger Shaqir Bytyqi deklaroi se ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një fjalosjeje.
“Nga informacionet e para është kuptuar se pas një fjalosjeje ndërmjet një personi të dyshuar në njërën anë dhe tre personave të tjerë në anën tjetër, i dyshuari ka shtënë me armë zjarri në drejtim të automjetit të palës tjetër. Si pasojë e të shtënave, një person ka pësuar lëndime trupore nga arma e zjarrit”, ka thënë ai.
Bytyqi konfirmoi se personi i lënduar është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit dhe, sipas mjekëve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa përveç personit të lënduar, të tjerët janë shoqëruar në stacionin policor në Prizren.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve së bashku me njësinë e forenzikës, me qëllim të grumbullimit të provave dhe sigurimit të dëshmive materiale.
