Philips: Kosovës i mungon pjekuria politike për të qenë partnere

0%

Profesori i asociuar në Programin e Studimeve të Sigurisë në Universitetin Georgetown, David L. Phillips, vlerëson se përgjegjësia kryesore për ngërçin politik dhe institucional në Kosovë bie mbi vetë shoqërinë, e cila sipas tij, nuk kërkon mjaftueshëm llogari nga udhëheqësit politikë.

Në një intervistë me shkrim, politologu amerikan ka folur për bllokadën institucionale në Kosovë, raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe projektet strategjike energjetike. Duke komentuar krizën aktuale institucionale dhe pamundësinë për funksionalizimin e plotë të institucioneve, ai tha se përgjegjësia nuk është vetëm e klasës politike.

“Shoqëria e Kosovës është përgjegjëse, sepse nuk kërkon më shumë nga udhëheqja e saj politike”- tha Phillips për Kallxo.com.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sa i përket mundësisë së nisjes së Dialogut Strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, Phillips, i cili ka punuar si këshilltar i lartë në Sekretariatin e Kombeve të Bashkuara dhe si ekspert i politikës së jashtme dhe këshilltar i lartë në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, sugjeroi që Prishtina të kërkojë emërimin e një të dërguari të posaçëm amerikan.

“Kërkoni një të dërguar të posaçëm të SHBA-së që të punojë përkrah një homologu të Bashkimit Evropian”- u shpreh ai, kur u pyet se çfarë duhet të bëj Kosova për të nisur Dialogun Strategjik. Phillips u tregua kritik edhe ndaj kapacitetit të Kosovës për të ndërtuar një partneritet strategjik me Uashingtonin, sidomos në një kohë kur Serbia tashmë ka nisur Dialogun Strategjik me SHBA-në.

“Kosovës i mungon pjekuria politike për të qenë partnere strategjike”- deklaroi ai. I pyetur për pasojat që mund të ketë refuzimi ose vonesa në realizimin e projektit të gazit amerikan, Phillips tha se administrata amerikane, veçanërisht nën presidentin Donald Trump, i sheh marrëdhëniet ndërkombëtare edhe përmes interesit ekonomik. “Trump është shumë transaksional.

Kosova duhet ta paraqesë veten si një aset ekonomik”- tha ai. Ndërsa, në pyetjen nëse Kosova rrezikon ta humbasë përfundimisht këtë mundësi strategjike në sektorin e energjisë, përgjigjja e tij ishte e prerë: “Po.” Ndërkohë që përgjigjja zyrtare është se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndonjë datë të përafërt se kur mund të shfuqizohet vendimi për pezullimin e Dialogut Strategjik të planifikuar me Kosovën, derisa përsërisin se, për të shtyrë përpara bashkëpunimin, Kosova duhet të ketë institucionet plotësisht të konstituuara dhe funksionale.

SHBA-ja ka deklaruar se pret të zhvillojë dialog strategjik me Kosovën “kur të krijohen kushtet e duhura”, dhe kërkon “hapa konkretë nga qeveria e Kosovës për të çuar përpara zotimet në lidhje me serbët e Kosovës.” “Për të rifilluar planifikimin për një dialog strategjik, ne duam të shohim hapa konkretë nga qeveria në detyrë për të çuar përpara qëllimin tonë të përbashkët për forcimin e paqes dhe stabilitetit, si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës në lidhje me serbët e Kosovës”- tha zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë për Kallxo.com .

Në kuadër të Dialogut strategjik, sipas tij, ekziston një mundësi e madhe për të zgjeruar marrëdhëniet dypalëshe Kosovë-SHBA në fusha të shumta, që nga energjia dhe siguria kibernetike e deri te bashkëpunimi në mbrojtje, zhvillimi i infrastrukturës dhe sektori i teknologjisë.

Një bashkëpunim i tillë i thelluar, sipas Ambasadës amerikane, kërkon që të gjitha institucionet qeverisëse të jenë plotësisht të konstituuara dhe funksionale.

“Për të rifilluar planifikimin për një dialog strategjik, ne duam të shohim hapa konkretë nga qeveria në detyrë për të çuar përpara qëllimin tonë të përbashkët për forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës në lidhje me serbët e Kosovës”- u përgjigj Ambasada.

Ambasada theksoi se Shtetet e Bashkuara pezulluan për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik SHBA-Kosovë në shtator të vitit 2025, “për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet që kishte ndërmarrë qeveria në detyrë.” Ndërkohë, Serbia ka nisur rundin e parë të dialogut strategjik me SHBA-në më 17 korrik.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar se vendimi për nisjen e Dialogut Strategjik mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara është një nga zhvillimet më të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve në vitet e fundit.

Gjuriq tha se vendimi i administratës së presidentit amerikan Donald Trump përbën një sinjal të fuqishëm politik jo vetëm për Serbinë dhe institucionet e saj, por edhe për opinionin publik amerikan dhe institucionet shtetërore të SHBA-së. Serbia ka pranuar bashkëpunimin me SHBA-në për gazin e lëngshëm natyror dhe diversifikimin e furnizimit me gaz.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti kishte deklaruar se nuk bëhet fjalë për pezullim të një dialogu të nisur më parë, por të një dialogu të planifikuar dhe se, sipas tij, marrëdhëniet me Amerikën nuk ishin prishur.

“Duam të qartësojmë se bëhet fjalë për pezullimin e planifikimit për dialogun strategjik e jo të Dialogut Strategjik si proces të nisur, e as të komunikimit të rregullt që ne e kemi. Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime”- tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë më .

Në anën tjetër, në lidhje me çështjen e gazit amerikan, më , e Ngarkuara me Punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, i ka bërë thirrje Kosovës të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara përmes projektit për gazin e lëngshëm natyror (LNG), duke thënë se kjo do t’i ndihmonte ta sigurojë të ardhmen e vet energjetike.

Në një opinion, Prattipati tha se “së bashku, ne mund të forcojmë sigurinë energjetike dhe t’i rrisim ekonomitë tona krah për krah”. Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është përfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përmes një videoje , më ka folur në lidhje me projektin e gazit amerikan. Ajo ka thënë se Kosova nuk e ka zgjedhur importin nga shtetet e rajonit para prodhimit vendor të energjisë elektrike ose para gazit amerikan.

Zgjedhja e Kosovës, sipas saj, ka qenë thëngjilli, burimet e ripërtëritshme si era dhe dielli, koogjenerimi për ngrohje dhe efiçienca e energjisë. Të pavërteta i ka quajtur pretendimet që Qeveria është kundër gazit të lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo ka thënë se në vitin 2022 është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë për bashkëpunim në termocentralin e Vlorës për një gaz të tillë.

Burimi: Kallxo