Michael Olise vazhdon të jetë një nga emrat më të përfolur në tregun e transferimeve. Sulmuesi anësor i Bayern Munichut shkëlqeu me Francën në Kupën e Botës 2026, ndërsa paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e Real Madridit.
Sipas disa raportimeve, klubi madrilen dëshiron ta sjellë Olisen në Santiago Bernabeu, ku do të krijonte një dyshe të frikshme me bashkëkombësin e tij, Kylian Mbappen. Dyshja kishte lënë përshtypje të jashtëzakonshme gjatë verës me fanellën e Francës.
Megjithatë, Bayern Munich nuk ka ndërmend të negociojë largimin e 24-vjeçarit, pasi e konsideron atë një lojtar kyç të projektit të ardhshëm. Ndërkohë, një zhvillim i fundit në Gjermani ka bërë që spekulimet për të ardhmen e Olises të shtohen. Gazeta gjermane Bild ka raportuar se francezi do të largohet nga shtëpia e tij në zonën prestigjioze Grunwald në fund të muajit gusht.
Prona luksoze përfshin disa dhoma, palestër private, sallë kinemaje, si dhe një zonë relaksi me sauna, xhakuzi dhe pishinë të jashtme. Olise ka jetuar aty për dy vite, ndërsa vila ndodhet më pak se 10 minuta larg qendrës stërvitore të Bayern Munichut. Megjithatë, ky largim nuk lidhet domosdoshmërisht me një transferim të mundshëm.
Olise dëshiron Real Madridin, por një marrëveshje sekrete po e pengon transferimin e tij Sipas Bild , pronari i vilës, ish-futbollisti i Bayern Munichut, Jerome Boateng, ka vendosur ta shesë pronën që e kishte blerë në vitin 2016 për 7.4 milionë euro. Vlera aktuale e vilës ka shkuar në rreth 11.5 milionë euro, ndërsa Boateng ka marrë disa oferta për të.
Për këtë arsye, Olise duhet të gjejë një banesë të re në javët e ardhshme, ndërsa e ardhmja e tij sportive vazhdon të jetë një nga temat më të nxehta në Evropë./ Telegrafi
