NUK E DUROJ DOT

0%

Poezi nga: C. K. Williams Përktheu: Irena Dono [1] Nuk e duroj dot mënyrën se si ky tingull-psherëtimë e pakërkuar, zë ngashëryes, Hasëll-hasëll jo tingull, por diçka që ndihet, psherëtimë që ndihet, vazhdon të rritet tek unë, duke më trazuar, jo me maskimin e tij të vjetër si nostalgji, thirrje e ëmbël çmendurake e zogut të zi; jo si kujtesë, pikëllim për gjithë ata njerëz të ikur, dhe as si ai ngatërrimi tjetër i kujtimit, keqardhjes për gabimet e pashlyera, gjërat e bëra keq dhe pakujdesitë, rrënjë të ngurosura shumë thellë për të mos u shkulur kurrë; njëfarë përzierjeje, një lëmsh i pazgjidhshëm i tretur prej kënaqësisë së qenies së shtangur, e qenies që jeton me frikë dhe për një frikë që zor mund ta kuptoj se e ç’lloji është, jo mosekzistencë e vetes, e të dashurve, dashurisë; madje as luftë, në djall lufta, psherëtima për luftën, të qarët me dënesë për luftën, jo për luftën, paqen, ndërprerjen e përkohshme, por, më shumë se e gjithë kjo, diçka si tingull tokësor, notë tokësore, e kultivuar te ne tani, që fryhet brenda nesh, të gjithëve ne, jehonë e dashurisë që patëm dhe kemi për botën, për botën tonë, në të cilën ne dukemi më në fund thjesht një mizëri, një vërshim i thjeshtë, thjesht lëndë e vetëkthyer për të bërë rrëmujë, për të zhurmuar, blic kakofonik shkatërrimi, plaçkitjeje, zallamahi nga e cila çdo emocion tani e tutje shpërfaqet, dhe në të cilën lëkunden, rrëshqasin, fundosen dhe shuhen psherëtima vajtimesh, ankimesh, zhurmë dënese e pendesë keqardhjeje, dhe ende, gjithmonë, gëzimi i trishtuar, madje edhe më i trishtuar, më i trishtuar. ________________ [1] Poezia është një meditim i thellë dhe tepër emocional mbi pikëllimin e pashmangshëm dhe ekzistencën e ëmbël dhe të hidhur të njerëzimit.

Në vend që të ngrejë zërin kundër luftës apo tragjedisë në kuptimin tradicional, poeti shpreh mospëlqimin për atë trishtim mbytës e të paftuar që ngrihet vazhdimisht përbrenda njeriut, duke e lidhur gëzimin e të qenit gjallë me një ankth gjithëpërfshirës për botën. Poeti trajton pikëllimin e papritur, pendimin e ngatërruar për gabimet njerëzore dhe një melankoli këmbëngulëse e therëse.

Burimi: Telegrafi