Shpërndaje në: Çmimi i naftës në Kosovë ka mbërritur në 1.68 euro për litër të enjten. Sot një litër naftë sipas vendimit të Ministrisë së Industrisë e Tregtisë, do të kushtojë një cent më shtrenjtë se dje, që ishte 1.67 euro. Kurse, një litër benzinë kushton 1.49 euro, po ashtu një cent më shtrenjtë e gasi 60 centë – njëjtë sikur dje.
Deri tash, që prej 5 majit, një litër nuk ka kushtuar më shtrenjtë. Atë kohë, një litër naftë kushtonte 1.68 euro. Një litër benzinë atë ditë kushtonte 1.49 euro, ndërsa gasi 82 centë. Prej asaj kohe e deri javën e shkuar, ishte në fuqi një armëpushim që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e arritën me Iranin. Armëpushimi bëri që nafta në bursë të kishte çmim më të ulët.
Por ditë më parë u rikthyen sulmet dhe u rimbyll Ngushtica e Hormuzit, që shërben si rrugë për 20 për qind të naftës në nivel bote. Çmimi i naftës nisi të ngrihej menjëherë.
