Dy filma kosovarë, “Dua”, me skenar dhe regji të Blerta Bashollit dhe “Shame and Money”, me skenar dhe regji të Visar Morinës, do të garojnë për çmimin kryesor “Zemra e Sarajevës”, të Festivalit të Filmit në Sarajevë (Sarajevo Film Festival -SFF) në Bosnje dhe Hercegovinë për vitin 2026.
Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se të dy filmat, ”Dua” dhe “Shame and Money”, do të garojnë në kategorinë e kryesore të festivalit (Main Competition). Për të dy filmat, sipas QKK-së, do të ketë premiera rajonale në këtë edicion të festivalit.
“Pas premierës së tij botërore në La Semaine de la Critique në Festivalin e Filmit në Cannes, ‘DUA’ vazhdon rrugëtimin e tij festivalor me përzgjedhjen në garën kryesore të një prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në Evropën Juglindore”- thuhet në njoftimin e QKK-së për filmin “Dua’ në Facebook.
“Jemi të lumtur të ndajmë lajmin se filmi ‘Shame and Money’, me skenar dhe regji nga Visar Morina, do të ketë premierën rajonale në garën kryesore (Main Competition) të Sarajevo Film Festival”- thuhet në njoftimin e QKK-së.
Përderisa sa filmit ‘Dua” ndjek historinë e një adoleshenteje në kërkim të identitetit në një periudhë të ndërlikuar politike, në Kosovën e viteve 1990/99, filmi “Shame and Money” rrëfen për një familje e cila pas zhvendosjes në kryeqytet përballet me vështirësi për të siguruar një vend të dinjitetshëm në një shoqëri hiperkapitaliste.
Kinematografia kosovare ka një histori suksesi përgjatë edicioneve të ndryshme të SFF-së. Vitin e kaluar, 2025, dokumentari “I Believe the Portrait Saved Me” i regjisorit Alban Muja mori një Përmendje Speciale të Jurisë në konkurrencën e dokumentarëve të SFF-së, kurse në vitin 2024, regjisorja Norika Sefa, e fitoi çmimin për dokumentarin më të mirë të shkurtër me filmin “Like a sick yellow” (“Si e verdhë e sëmurë”).
Në vitin 2021 , tri aktoret kryesore të filmit “Luaneshat e Kodrës” të regjisores Luana Bajrami; Flaka Latifi, Era Balaj dhe Uratë Shabani fituan çmimin “Zemra e Sarajevës” si aktoret më të mira. Ndërsa, regjisorja Norika Sefa me filmin “Në kërkim të Venerës” mori çmim të veçantë për promovimin e të drejtave të barabarta gjinore.
Filmi “Pa Vend” i regjisorit Samir Karahoda ndërkaq u shpërblye me mirënjohje speciale të jurisë. Suksesin më të madh në SFF e arriti regjisori Visar Morina me filmin “Exil” (Exile) në vitin 2020, i cili u shpall filmi më i mirë i këtij festivali, duke marrë çmimin kryesor “Zemra e Sarajevës”. Edicioni i 32-të i Festivalit të Filmit në Sarajevë do të mbahet nga 14 deri më .
