Biblioteka personale e profesorit Shefki Sejdiu i dhurohet

0%

Biblioteka personale e profesorit të ndjerë Shefki Sejdiu i është dhuruar Bibliotekës së Qytetit të Podujevës, duke u bërë pjesë e fondit të saj me synimin për t’u shërbyer lexuesve dhe brezave të rinj.

Në ceremoninë e dorëzimit të këtij donacioni morën pjesë nënkryetari i Komunës së Podujevës, Fahri Restelica drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Valbona Ibishi-Azemi, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, si dhe profesori Jusuf Osmani.

Nënkryetari Restelica vlerësoi kontributin e profesorit Shefki Sejdiu në fushën e arsimit në Podujevë, duke theksuar se dhurimi i librave përfaqëson një trashëgimi të rëndësishme për qytetin. “Ky dhurim librash bart një simbolikë të veçantë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai vazhdon misionin që profesori Shefki Sejdiu e kishte ndjekur gjatë gjithë jetës së tij përhapjen e dijes, kultivimin e leximit dhe edukimin e brezave të rinj”, tha Restelica.

Ish-presidenti Fatmir Sejdiu, familjar i profesorit Shefki Sejdiu, bëri të ditur se kjo ishte porosia e fundit e profesorit, që librat e bibliotekës së tij personale t’u dhuroheshin Bibliotekës së Qytetit të Podujevës. “Porosia e fundit e profesorit Shefki Sejdiu ishte që të gjitha librat që i posedonte të dhurohen për Bibliotekën e Podujevës.

Ai ishte ndër profesorët e parë të angazhuar në Gjimnazin e qytetit të Podujevës, ku kontribuoi në arsimimin e shumë gjeneratave”, u shpreh Sejdiu. Ndërkohë, profesori Jusuf Osmani ndau kujtime nga bashkëpunimi me profesorin Shefki Sejdiu, duke e përshkruar atë si një njeri modest dhe të përkushtuar në aktivitete arsimore e shoqërore.

Librat u dorëzuan në emër të familjes Sejdiu nga djali i profesorit, Pleurat Sejdiu, ndërsa titujt e bibliotekës personale do të vendosen në hapësirat e Bibliotekës së Qytetit të Podujevës, ku do të jenë në dispozicion të lexuesve.

Burimi: Telegrafi