Arsenali i ka intensifikuar përpjekjet për transferimin e mesfushorit brazilian Bruno Guimarães, të cilin trajneri Mikel Arteta e konsideron përforcimin ideal për repartin e mesfushës. Pas dështimit për ta transferuar Morgan Rogers, “Topçinjtë” nuk duan ta humbasin një tjetër objektiv të madh dhe e kanë rritur ofertën për yllin e Newcastle United.
Sipas raportimeve nga Anylia, klubi londinez e ka paraqitur një ofertë të re prej 85 milionë eurosh, e ndarë në 80 milionë euro fikse dhe 5 milionë euro bonuse. Ky është një përmirësim i dukshëm krahasuar me ofertat e mëparshme prej 64 dhe 75 milionë eurosh, të cilat u refuzuan nga Newcastle. Ndërkohë, Arsenali ka arritur tashmë një marrëveshje me vetë lojtarin.
Bruno Guimarães i ka pranuar kushtet personale dhe është gati ta nënshkruajë një kontratë pesëvjeçare me klubin londinez, ndaj pengesa e vetme mbetet marrëveshja mes dy klubeve. Newcastle vazhdon ta mbajë një qëndrim të fortë dhe synon të përfitojë sa më shumë nga shitja e njërit prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.
Megjithatë, Arsenali beson se oferta e re mund të jetë e mjaftueshme për ta bindur klubin anglez që ta lejojë largimin e brazilianit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
