Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ndaluar një person të dyshuar për veprën penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur”, pas aksidentit fatal që ndodhi mëngjesin e së enjtes në fshatin Studime, në magjistralen Mitrovicë–Prishtinë. Sipas Prokurorisë, i dyshuari, duke vozitur në gjendje të dehur, ka kaluar në shiritin e kundërt të rrugës dhe është përplasur me një automjet tjetër.
Si pasojë e aksidentit, një grua ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa shoferi dhe tre pasagjerë të automjetit tjetër kanë pësuar lëndime serioze dhe po marrin trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori kujdestar për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ndërsa me urdhër të prokurorisë trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi. Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit të ndaluar.
