Shpërndaje në: Forca e Sigurisë se Kosovës ka njoftuar se njësitet e specializuara të Gardës Kombëtare, me urdhër të komandonit, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, kanë zbarkuar në fshatin Sferkë të Pejës për të punuar për lokalizim të zjarrit në deponinë e mbeturinave që ndodhet në këtë fshat.
Në një njoftim të postuar në Facebook thuhet se FSK-ja është angazhuar pas pranimit të kërkesës nga Qendra e Situatave e Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, lidhur me shpërthimin dhe përhapjen e zjarrit me përmasa të mëdha në këtë deponi.
Në njoftim thuhet se Qendra Operative e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka bërë vlerësimin e menjëhershëm të rrezikut dhe kapaciteteve reaguese për këtë sfidë.
“Pas analizës përkatëse, me urdhër të Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, janë mobilizuar dhe kanë zbarkuar në terren njësitë e specializuara të Gardës Kombëtare me kapacitetet e saja për intervenim në këtë situatë.
Operacioni ka filluar menjëherë me qëllim izolimin e vatrës së zjarrit, parandalimin e ndotjes toksike mjedisore dhe evitimin e efekteve zinxhir ndaj shëndetit publik të qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se njësitë po punojnë në koordinim të ngushtë me autoritetet qendrore, lokale, shërbimet e emergjencave civile dhe popullatën lokale për të kthyer situatën në normalitet në kohën më të shpejtë të mundshme. Deponia e mbeturinave në Sferkë të Pejës për më shumë se një është e përfshirë nga zjarri, që ka shkaktuar tym të dendur dhe shqetësim te banorët e zonës.
Ata kanë protestuar dhe kanë kërkuar që krahas shtimit të ekipeve për ta ndalur zjarrin, të intensifikohen edhe hetimet për shkaktarët.
