Një anije cisternë ka raportuar se është goditur nga një raketë e panjohur në Ngushticën e Hormuzit, sipas Zyrës Britanike të Sigurisë Detare (UKMTO), e cila funksionon nën autoritetin e Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas të dhënave paraprake, incidenti ndodhi rreth 8 milje detare (afërsisht 15 kilometra) në verilindje të Limës, në territorin detar të Sulltanatit të Omanit. Deri tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur detaje të tjera mbi natyrën e sulmit, shkallën e dëmeve në anije apo gjendjen e ekuipazhit.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e energjisë, pasi përmes saj kalon një pjesë e madhe e eksporteve globale të naftës dhe gazit. Incidenti vjen në një periudhë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ku janë shtuar shqetësimet për sigurinë e trafikut detar në rajon.
