Komuna e Kamenicë ka njoftuar për fushaten e korrje-shirjeve ka nisur me sukses, ndërsa procesi po zhvillohet sipas planifikimeve të Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural . Sipas njoftimit, korrja ka filluar më 11 korrik të këtij viti me sipërfaqet e mbjella me elb, ndërsa nga 14 korriku ka nisur edhe korrja e grurit.
Fillimi i procesit këtë vit është shtyrë për disa ditë krahasuar me vitin e kaluar, për shkak të nivelit më të lartë të lagështisë në kulturat bujqësore. Gjatë kësaj fushate në territorin e Kamenicës pritet të korren rreth 1,250 hektarë me grurë, 70 hektarë me elb, 100 hektarë me tërshërë dhe 50 hektarë me tritikale.
Në punët e korrje-shirjeve janë angazhuar 29 autokombajna, të cilat kanë kaluar paraprakisht pranimin teknik dhe janë pajisur me lejet përkatëse nga Komisioni Komunal për Korrje-Shirje. Deri tani janë korrur 688 hektarë grurë, ose rreth 55 për qind e sipërfaqes së planifikuar, si dhe 66 hektarë elb, që përbën rreth 95 për qind të sipërfaqes së paraparë.
Komisioni Komunal për Korrje-Shirje është duke monitoruar vazhdimisht procesin në terren, me fokus në parandalimin e humbjeve gjatë korrjes, respektimin e masave të sigurisë dhe zbatimin e masave parandaluese kundër zjarreve. Sipas vlerësimeve nga terreni, rendimentet e këtij viti janë të kënaqshme.
Në disa parcela janë regjistruar rendimente mbi 4 mijë kilogramë për hektar, ndërsa mesatarisht rendimentet e grurit llogariten nga 3,500 deri në 4,000 kilogramë për hektar, kurse të elbit nga 3,000 deri në 3,500 kilogramë për hektar.
Edhe pse në disa zona procesi është ndërprerë përkohësisht për shkak të reshjeve, kushtet klimatike në përgjithësi kanë qenë të favorshme për zhvillimin e fushatës. Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin dhe mbështetjen e fermerëve deri në përfundimin e plotë të korrje-shirjeve në Komunën e Kamenicës.
