Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu, ka folur hapur për krizën financiare me të cilën po përballet institucioni që ai drejton, duke shpjeguar se për vite me radhë federata ka mbajtur barrën kryesore financiare për zhvillimin e basketbollit në vend.
Në emisionin SportCast, Fetahu tha se FBK ka zgjedhur me vetëdije të sakrifikojë veten financiarisht për t’u krijuar klubeve kushtet më të mira të mundshme për garim. Fetahu: E kemi sakrifikuar veten për komunitetin e basketbollit “Problemet janë dhe qëndrojnë në faktin që Federata e Basketbollit të Kosovës ka flijuar veten për ta ngritur komunitetin.
Domethënë, jemi e vetmja federatë, në rajon sigurt e ndoshta dhe në Evropë, që ia mundëson klubeve të veta garimin pa asnjë shpenzim.
Natyrisht, domethënë, nëse ne i paguajmë në baza vjetore gjysmën e buxhetit tonë, më shumë se gjysmën e buxhetit tonë i paguajmë për persona zyrtarë të cilët merren me organizim të garave, edhe për shërbime të cilat ne ua ofrojnë klubeve dhe për këto gara, ky është problemi. A e kemi bërë këtë me vetëdije? Deri diku po. Okej?
Sepse e kemi ditur që ne duhet me u fliju pak me u përball me probleme për ta ngritur basketbollin. Niveli i basketbollit të Kosovës, përtej secilit sport tjetër në Kosovë”, tha Fetahu. Ai theksoi se ky model nuk është më i qëndrueshëm dhe se FBK ka nisur të ndryshojë qasjen, duke kërkuar që edhe klubet të marrin përgjegjësi më të madhe financiare.
Sipas tij, drejtuesit e federatës kanë zhvilluar takime me klubet, ku u është bërë e qartë se periudha kur federata mbulonte pothuajse të gjitha shpenzimet duhet të marrë fund. Fetahu: Është koha që FBK të përfitojë financiarisht nga klubet “Tash, çka kemi bërë sivjet? Është që i kemi takuar klubet edhe u kemi thënë: E dini çka?
Keni marrë, keni vjelë, kemi vjelë, jo keni vjelë, kemi vjelë të gjithë prej këtij suksesi që kemi arritur. Por tash duhet të fillojmë të paguajmë të gjithë. Sepse federata nuk mundet me e përballuar këtë kosto. Ne kemi si federatë jemi e dyta për nga sa i përket nivelit të sponsorizimit.
Jemi, hiç futbollin, jemi larg numër një sa i përket të hyrave që i marrim prej organizimit tonë edhe prej organizatave ndërkombëtare. Kështu që ajo çka neve na ka dëmtuar tërë këto vjet, është fakti që ne kemi dhënë shumë më shumë se sa që kemi mbërri me marrë. Që është normale, ky është si arrihet deficiti ekonomik në fund.
Po tash ka ardhur koha për me e ndal pak këtë punë, edhe për me nisë me vjelë disa të mbrapa. Nuk mundet një, ne i kemi domethënë tre klube të cilat e marrin 1 milion euro në vit. E kanë buxhetin e tyre 1 milion euro në vit. 1.2 milion euro prej sponsorizimeve. Lëri anash edhe të hyrat e veta vetanake të cilat i kanë.
Nëse jemi duke folur për një klub me përmasa të tilla, atëherë nuk i kushton asgjë me i dhënë për fillim 20, 30, 40 ose 50 mijë euro”, deklaroi Fetahu.
Në këtë mënyrë, sipas Fetahut, federata synon të krijojë një model më të qëndrueshëm financiar, ku barra e zhvillimit të basketbollit të mos mbetet vetëm mbi FBK-në, por të ndahet edhe me klubet që kanë përfituar nga investimet dhe rritja e nivelit të këtij sporti gjatë viteve të fundit.
