Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se vendi sot do të karakterizohet nga mot me diell dhe vranësira të pjesshme, por gjatë orëve të mesditës dhe pasdites priten ndryshime të kushteve atmosferike. Sipas IHMK-së, zhvillimi i vranësirave konvektive mund të sjellë reshje lokale shiu, shkarkesa rrufesh dhe stuhi të shkurtra në disa zona të Kosovës.
Meteorologët nuk përjashtojnë mundësinë e rrebesheve më intensive, erërave të përkohshme të fuqishme dhe breshrit në zona të izoluara. IHMK thekson se reshjet do të kenë karakter lokal, që do të thotë se nuk pritet të përfshijnë të gjithë territorin e vendit. Në disa rajone mund të ketë zhvillime stuhish, ndërsa në zona të tjera moti do të mbetet kryesisht i thatë.
Temperaturat maksimale gjatë ditës pritet të arrijnë nga 31 deri në 33 gradë Celsius, ndërsa era do të fryjë nga veriperëndimi me intensitet të lehtë deri mesatar, me fuqizime të përkohshme gjatë stuhive.
Instituti ka apeluar qytetarët që të tregojnë kujdes gjatë aktiviteteve në ambiente të hapura dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për zhvillimet e motit, veçanërisht gjatë orëve kur priten reshje dhe bubullima. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
