Një aksident i rëndë trafiku ka tronditur mbrëmjen e së hënës zonën e Hessenit në Gjermani, ku një grua 45-vjeçare ka humbur jetën, ndërsa dy vajzat e saj të mitura kanë mbetur të lënduara. Sipas policisë gjermane, ngjarja ka ndodhur rreth orës në rrugën Burgsolmser Straße, mes qyteteve Leun dhe Burgsolms.
Gruaja po udhëtonte me një automjet Smart Forfour së bashku me vajzat e saj 10 dhe 12 vjeçe, kur një automjet tjetër i tipit Mercedes, i drejtuar nga një 18-vjeçar, dyshohet se ka kaluar në korsinë e kundërt dhe është përplasur drejtpërdrejt me veturën e tyre.
Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit nga 18-vjeçari, e lidhur me shpejtësinë e lartë. Përplasja ka qenë aq e fuqishme sa automjeti i familjes ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në çati.
Dy vajzat dhe drejtuesi i Mercedesit janë nxjerrë nga automjetet, ndërsa për nënën është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve. 45-vjeçarja është dërguar me helikopter në spital në gjendje kritike, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e aksidentit tragjik.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
