Më , në qytetin e Librazhdit u shënua 49 vjetori nga ekzekutimi i dy poetëve të shquar shqiptarë, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, nga regjimi komunist. Pushkatimi i tyre në vitin 1977 mbetet një nga aktet më brutale të terrorit ideologjik ndaj elitës intelektuale shqiptare.
Dy mendje të ndritura, bij të Bërzeshtës së Librazhdit, u shuan për shkak të fjalës së lirë dhe vizionit europian që përfaqësonin. Në një intervistë ekskluzive për këtë përvjetor, Bujar Vreto një dëshmitar i periudhës komuniste dhe pas saj reflekton mbi kujtimet, trashëgiminë letrare dhe drejtësinë e munguar.
Intervista e Vretos sjell një thirrje të fortë për dekriminalizimin e shoqërisë shqiptare dhe vendosjen e poetëve martirë në piedestalin që meritojnë. B.S: Si lidhen kujtimet tuaja me këta martirë?
Bujar Vreto : Në këtë 49-vjetor të pushkatimit të dy mendjeve të ndritura të Bërzeshtës, të Librazhdit dhe të gjithë kombit shqiptar, kujtimet vijnë me dhimbje, sepse ata ende nuk kanë marrë drejtësi. Edhe sot, eshtrat e tyre nuk prehen të qeta në ndërgjegjen e këtij shteti.
Ishin bij të familjeve fisnike, personalitete që lanë gjurmë në kohën kur jetuan, por nuk morën kurrë drejtësinë që meritonin. Nëse diktatura komuniste do të ishte dënuar siç duhej dhe shoqëria shqiptare do të ishte dekriminalizuar, sot do të kishim një realitet tjetër. Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur ende. B.S : Ju keni jetuar si periudhën komuniste, ashtu edhe atë pas komunizmit.
Si e shihni ndikimin e poezisë së tyre te brezat e rinj? Bujar Vreto : Brezat e rinj janë frymëzuar nga poezia dhe qëndresa e tyre. Megjithatë, indoktrinimi i brezave të vjetër ende nuk është përballur me të vërtetën historike. Ata që përqafuan regjimin nuk u bashkuan kurrë me idealet e Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës.
Si shoqëri duhet të kuptojmë se çfarë kërkuan këta dy poetë dhe çfarë donin t’i sillnin Shqipërisë dhe Europës. Ne promovojmë Kadarenë, Agollin e shumë autorë të tjerë – për të cilët unë kam rezervat e mia – por ende nuk kemi kuptuar thellësinë e veprës dhe sakrificës së Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit. Kjo mbetet një nga plagët më të mëdha të kombit tonë. B.
S : Sipas jush, pse nuk është arritur ende kjo drejtësi? Bujar Vreto : Sepse në vitet 1992–1993 Byroja Politike nuk u dënua për gjenocidin që ushtroi ndaj shqiptarëve dhe ndaj elitës intelektuale. Nuk bëhet fjalë vetëm për të përndjekurit, por për një popull të tërë që jetoi në një vend të rrethuar me tela me gjemba.
Edhe njerëzit e thjeshtë që nuk kishin kryer asnjë faj vuajtën pasojat e atij regjimi. Ndërsa ata që kryen krime duhej të ishin vënë para drejtësisë. Edhe pas 36 vitesh vazhdojmë të përballemi me të njëjtin mentalitet. E kam thënë edhe më parë: regjimi ndryshoi formën, por jo përmbajtjen.
Për këtë arsye vlerat e Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit ende nuk janë vendosur në piedestalin që meritojnë. Historia do t’u japë vendin që u takon, por pyetja është: a do ta realizojë brezi ynë idealin për të cilin ata u flijuan? Ata nuk u vranë nga natyra, por nga mendësia kriminale e një regjimi.
Nuk u prenë vetëm dy jetë, u shuan dy mendje të jashtëzakonshme, të cilat do të kishin ndikuar në zhvillimin kulturor dhe shpirtëror të Shqipërisë, të Europës dhe më gjerë. B.S : Cila është e ardhmja e demokracisë, kur Shqipëria mbetet ndër vendet që ekzekutoi poetë?
Bujar Vreto : Ne jemi vendi që zhveshi qytetarët nga prona, shkatërroi kishat dhe xhamitë, burgosi mendimin e lirë dhe e reduktoi njeriun në një “kafshë pune”. U goditën jo vetëm njerëzit, por edhe mendja shqiptare. Nëse kjo shoqëri nuk dekriminalizohet, do të vazhdojmë të mbetemi peng i së shkuarës.
Mjafton të shohësh vazhdimësinë e klasës politike për të kuptuar se mentaliteti nuk ka ndryshuar. Ndryshuan vetëm format. Prona nuk iu kthye të zotit, viktimat nuk u rehabilituan plotësisht dhe sakrifica e atyre që ranë për lirinë e vendit nuk u vlerësua siç duhet. Demokracia nuk nisi në dhjetor të vitit 1990, ajo është kërkuar me gjak, burgje dhe sakrifica që nga viti 1944 e deri sot.
Për këtë arsye, edhe përmes kësaj interviste, bëj thirrje që Shqipëria të dekriminalizohet dhe të shkëputet përfundimisht nga trashëgimia e regjimit komunist. B. S : Çfarë duhet të bëjmë? Bujar Vreto : Shoqëria shqiptare duhet të ndërgjegjësohet.
Duhet të marrë si model Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin, dy kryevepra njerëzore dhe shpirtërore, dhe vlerat e tyre t’i injektojë në zemrën e çdo shqiptari. Vetëm kështu mund të përmbysim përfundimisht kleptokracinë dhe trashëgiminë politike të së shkuarës.
Përmes jush u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të reflektojnë mbi tragjedinë e vitit 1977 dhe mbi faktin se, edhe pas 49 vitesh, drejtësia ende mungon. A do të presim edhe 49 vjet të tjera, apo do t’u japim më në fund drejtësi jo vetëm Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit, por të gjithë atyre që u persekutuan, u burgosën, u pushkatuan dhe u margjinalizuan nga një regjim kriminal?
B.S : 49 vjet më vonë, kujtimi i Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit mbetet një provë e gjallë e nevojës urgjente për një ballafaqim të sinqertë me të shkuarën. Pa drejtësi të plotë dhe pa dekriminalizim real, demokracia shqiptare do të vazhdojë të mbartë hijen e trashëgimisë komuniste.
