Shpërndaje në: Autoritetet italiane ia kanë kthyer Meksikës 27 artefakte arkeologjike, pasi ato u sekuestruan gjatë disa hetimeve të zhvilluara në pjesë të ndryshme të Italisë. Sipas një njoftimi të Policisë, artefaktet ishin importuar në mënyrë të paligjshme, ishin shitur në kundërshtim me ligjin ose mbaheshin nga pronarë privatë pa dokumentacion që vërtetonte pronësinë e ligjshme.
Eksponatet, përfshirë figura të lashta prej terakote dhe argjile, skulptura tradicionale kokash dhe fosile, iu dorëzuan palës meksikane gjatë një ceremonie në Ambasadën e Meksikës në Romë.
Ceremonia u drejtua nga zyrtarë të “Carabinieri Tutela del Patrimonio Culturale” (TPC), njësisë speciale të karabinierëve italianë kundër vjedhjes dhe trafikut të veprave të artit, e cila zhvilloi hetimet.
Në njoftimin e saj, Njësia tregoi se të gjitha objektet e kishin origjinën nga “vende me rëndësi të madhe historike dhe kulturore” në Meksikë, duke shtuar se vlera e tyre e përbashkët arrinte në “disa dhjetëra mijëra euro”.
“Rikthimi te populli meksikan i artefakteve të çmuara dhe unike, të cilat më parë besohej se kishin humbur, rikthen një ndjenjë identiteti te vendet prej të cilave ato ishin marrë në mënyrë të paligjshme”, shkruhet në deklaratë. Artefaktet u gjetën pas gjashtë hetimeve të ndara.
Në një rast në Firence, karabinierët u njoftuan nga autoritetet peruane, të cilat kishin vërejtur një shitje të dyshimtë në një platformë të tregtisë elektronike. Kjo ua mundësoi zyrtarëve italianë të sekuestronin 16 artefakte të importuara në mënyrë të paligjshme nga një banesë private.
Edhe Kulturë 3 muaj më parë “Dua” me adoleshenten e 1999-s e kthen Kosovën në Cannes Në një hetim tjetër në Venecia, autoritetet sekuestruan tri fosile peshqish që datojnë nga periudha të moçme deri në miliona vjet. Karabinierët treguan se fosilet ishin “në gjendje të shkëlqyer ruajtjeje” dhe kishin “vlerë të pallogaritshme historike dhe shkencore”.
Zyrtarët në Romë sekuestruan gjithashtu dy statuja prej terakote që datojnë nga periudha e viteve të para të erës sonë të cilat i atribuohen qytetërimit Maja.
Në Milano dhe në Monza, karabinierët konfiskuan artefakte që përfshinin tri koka të qytetërimit Teotihuakan, të prodhuara në Rrafshnaltën Qendrore të Meksikës ndërmjet viteve 200 para erës sonë dhe 650 të erës sonë pas një inventarizimi të pasurisë së një individi privat vitin e kaluar.
Sipas agjencisë spanjolle të lajmeve EFE, artefaktet klasifikohen nga Instituti Kombëtar i Antropologjisë dhe Historisë së Meksikës (INAH) si pasuri e patjetërsueshme e kombit. Ato do të transferohen menjëherë në territorin meksikan, përpara se autoritetet të vendosin nëse do të ekspozohen në muzetë e vendit apo do të kthehen në vendet e tyre të origjinës.
Mónica de la Mora Kuri, drejtoreshë e institutit kulturor “Tina Modotti” të Meksikës në Itali, e cila mori pjesë në ceremoninë e kthimit, ka thënë se rikuperimi i veprave të artit dhe artefakteve kishte qenë një prioritet gjatë administratave të Claudia Sheinbaum, presidentes aktuale të Meksikës, dhe Andrés Manuel López Obrador, paraardhësit të saj.
Sipas saj, gjatë këtyre administratave, Meksika ka rikuperuar gjithsej 17 mijë e 878 vepra. “Strategjia e administratës së Sheinbaum është shumë e qartë”, ka thënë Mora Kuri. “Një nga motot e kësaj qeverie është: ‘Trashëgimia jonë kulturore nuk mund të shitet’”.
Ndërkohë, Vito Polizzi, arkeolog në Universitetin e Palermos, kërkimet e të cilit përfshijnë bashkëpunimin arkeologjik mes Italisë dhe Meksikës, ka thënë se territori i gjerë i Meksikës dhe numri i madh i vendeve arkeologjike që përmbajnë artefakte të qytetërimeve Maja, Aztek, Zapotek dhe Totonak e bëjnë të vështirë parandalimin e grabitjeve.
Kjo ka bërë që vjedhja dhe trafiku i paligjshëm të mbeten dukuri të përhapura. Edhe Kulturë 9 muaj më parë Çmimi botëror – njohje e artit të jashtëzakonshëm të Petrit Halilajt Italia dhe Meksika kanë një histori të fortë bashkëpunimi në rikuperimin e veprave të artit.
Në vitin 2024, Italia i ktheu Meksikës një grup më të madh prej 101 artefaktesh arkeologjike, përfshirë statuja antropomorfe dhe zoomorfe të gdhendura në gur, vazo të vogla qeramike të zeza dhe një vulë dekorative prej argjile ku paraqet një sakrificë njerëzore.
Deri më tani, sipas faqes së Ambasadës së Italisë në Meksikë, Italia i ka rikthyer këtij vendi më shumë se një mijë vepra arti dhe artefakte. (Marrë nga The Art Newspaper)
