Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mëngjesin e së dielës në qytetin e Hanias, në ishullin e Kretës, ku një ambulancë e shërbimit të urgjencës është përplasur me një automjet gjatë transportit të një pacienti drejt spitalit. Sipas autoriteteve lokale, pacienti që ndodhej në ambulancë ka humbur jetën pas një arresti kardiak.
Rrethanat e sakta të vdekjes do të përcaktohen pas ekzaminimeve mjeko-ligjore. Përplasja ishte e fortë dhe si pasojë ambulanca u përmbys në rrugë. Dy anëtarët e ekuipazhit mbetën të plagosur. Njëri pësoi gjendje shoku, ndërsa tjetri mori dëmtime në kraharor dhe u transportua në spital për trajtim mjekësor.
Në aksident u përfshi edhe drejtuesi i automjetit tjetër, i cili punon si infermier në Spitalin e Hanias. Ai po kthehej në shtëpi pasi kishte përfunduar turnin e natës. Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit mbërritën forcat zjarrfikëse me tre mjete, të cilat ndihmuan në nxjerrjen e personave të bllokuar në automjetet e përfshira.
Policia Rrugore e Hanias ka nisur hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.
