Rekord fluturimesh gjatë Kupës së Botës

0%

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, udhëtoi vazhdimisht gjatë Kupës së Botës 2026, edicioni më i shpërndarë gjeografikisht në histori. Ai përshkoi Amerikën e Veriut për të ndjekur ndeshje, zhvilluar takime dhe marrë pjesë në aktivitete të ndryshme, ndërsa turneu u zhvillua në tre vende, 16 qytete dhe katër zona kohore, duke kulmuar me finalen e së dielës në New Jersey.

Për të gjurmuar lëvizjet e tij, Associated Press (AP) analizoi regjistrat e fluturimeve të një avioni privat biznesi të përdorur nga Infantino vitet e fundit, si dhe fotografi të realizuara nga fotoreporterët e AP-së dhe postime në Instagram nga FIFA dhe vetë Infantino.

Analiza tregon se deri në momentin kur Argjentina ose Spanja të shpallet kampione e botës, ai do të ketë fluturuar një distancë të mjaftueshme për të bërë pothuajse dy herë e gjysmë xhiron e Tokës. Këto udhëtime u bënë të mundura falë përdorimit të një avioni Gulfstream G650, pjesë e flotës së qeverisë së Katarit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Avioni operohet nga divizioni i çarterëve privatë të Qatar Airways, një nga sponsorët e Kupës së Botës. Që nga fluturimi i 9 qershorit nga Los Anxhelosi drejt Mexico City, përpara ndeshjes hapëse të turneut, avioni realizoi mesatarisht më shumë se një fluturim në ditë dhe, në disa raste, më shumë se tre fluturime brenda së njëjtës ditë, sipas të dhënave të platformës FlightAware.

Përveç ndjekjes së ndeshjeve, itinerari i Infantinos përfshiu një ndalesë në Nju Jork për një intervistë në emisionin Fox & Friends, një samit të FIFA-s në Miami me përfaqësues të 211 federatave anëtare, si dhe një udhëtim në Doha për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të ish-emirit të Katarit, përpara se të rikthehej në SHBA në kohë për gjysmëfinalet.

FIFA nuk iu përgjigj kërkesës së AP-së për koment lidhur me programin dhe organizimin e udhëtimeve të presidentit të saj. Shifrat kryesore të udhëtimeve të Infantinos 43 ndeshje – Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ndoqi 43 takime të Kupës së Botës përpara finales së së dielës.

Sipas FlightAware, avioni i tij ishte planifikuar të fluturonte nga New Jersey në Miami për ndeshjen e vendit të tretë mes Anglisë dhe Francës, por udhëtimi u anulua për shkak të vonesave të shkaktuara nga stuhitë në aeroportet e zonës së Nju Jorkut. 16 stadiume – Infantino ishte i pranishëm në të paktën një ndeshje në secilin prej 16 stadiumeve ku u zhvillua turneu.

Stadiumi më i vizituar prej tij ishte Hard Rock Stadium në Miami, ku ndoqi pesë ndeshje. 13 ditë me dy ndeshje – Në 13 raste, kreu i FIFA-s ndoqi dy ndeshje brenda së njëjtës ditë, edhe pse ato zhvilloheshin shpesh në qytete të largëta nga njëra-tjetra. 21 aeroporte – Avioni privat i përdorur nga Infantino u ul në 21 aeroporte gjatë turneut.

Krahas aeroporteve kryesore ndërkombëtare, ai përdori edhe aeroporte të dedikuara për aviacionin privat, si Fulton County Executive Airport në Atlanta dhe Opa Locka Executive Airport në Miami. 23 kalime kufitare – Deri në fazën e gjysmëfinaleve, avioni kishte kaluar 23 herë kufijtë ndërkombëtarë brenda Amerikës së Veriut. 115 orë në ajër – Avioni i Infantinos regjistroi 115 orë fluturim gjatë Botërorit, pa përfshirë fluturimet e pozicionimit dhe 29 orët e udhëtimit drejt Katarit për ceremoninë mortore.

Kjo kohë është e barabartë me gati pesë ditë të plota në ajër dhe do të mjaftonte për rreth 20 udhëtime me avion komercial nga Nju Jorku në Los Anxhelos. 59.281 milje (95.403 kilometra) – Kjo është distanca totale e përshkuar gjatë turneut, pa llogaritur udhëtimin në Katar.

Sipas analizës së Associated Press, kjo distancë është më e madhe se disa udhëtime të kombinuara vajtje-ardhje mes qyteteve si Nju Jork–Singapor, Los Anxhelos–Doha dhe Londër–Perth. 5.772 milje (9.289 kilometra) brenda një dite – Dita më intensive e udhëtimeve ishte 26 qershori, kur itinerari përfshiu fluturimet Miami–Dallas, Dallas–Seattle dhe më pas kthimin gjatë natës në Miami, ku Infantino ndoqi ndeshjen Kolumbi–Portugali. 5 orë e 44 minuta – Fluturimi më i gjatë gjatë turneut (pa përfshirë udhëtimin në Katar) ishte ai nga Miami në Seattle më 15 qershor, ku Infantino ndoqi ndeshjen Belgjikë–Egjipt.

Kohëzgjatja e fluturimit ishte sa tre ndeshje të plota futbolli. 28 minuta – Fluturimi më i shkurtër ishte ai nga Seattle në Vancouver më 6 korrik. Pas ndeshjes SHBA–Belgjikë në Seattle, Infantino udhëtoi drejt Vancouverit për të ndjekur të nesërmen sfidën Zvicër–Kolumbi.

Kritika për ndikimin në mjedis FIFA është angazhuar të ulë me 50% emetimet e karbonit nga Kupa e Botës dhe aktivitetet e lidhura me të deri në vitin 2030, si dhe të arrijë emetime neto zero deri në vitin 2040. Strategjia e qëndrueshmërisë dhe të drejtave të njeriut për Botërorin 2026 thekson angazhimin e organizatës për luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Megjithatë, studiues të klimës dhe organizata mjedisore argumentojnë se zgjerimi i turneut në tre vende e bën Kupën e Botës 2026 edicionin me ndikimin më të madh në emetimin e gazeve serrë deri më sot, kryesisht për shkak të udhëtimeve të shumta ajrore të skuadrave, tifozëve dhe zyrtarëve.

Burimi: Bota Sot