Situata në pikën kufitare Bajakovo mes Kroacisë dhe Serbisë është normalizuar, ndërsa qarkullimi i udhëtarëve po zhvillohet pa vonesat e mëdha të raportuara gjatë ditës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se përmes Ambasadës së Kosovës në Kroaci ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kufitare për të përcjellë situatën dhe për të ofruar mbështetje për bashkatdhetarët.
Sipas MPJD-së, pritjet e krijuara gjatë ditës kanë ardhur kryesisht si pasojë e procedurave të reja të kontrollit kufitar përmes Sistemit të Hyrje/Daljes (EES), i cili ka ndikuar në ngadalësimin e përkohshëm të kalimeve.
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, së bashku me stafin e ambasadës, ka vizituar pikën kufitare Bajakovo dhe është takuar me udhëtarët që ndodheshin në pritje. MPJD ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e gjendjes në pikat kufitare dhe informimin e qytetarëve, sidomos gjatë sezonit veror kur fluksi i mërgimtarëve është më i lartë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
