Ish-ushtaraku Hafir Hoxha ka vlerësuar se Kosova nuk duhet të frikësohet dhe as të ftohë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe aleatët perëndimorë për shkak të bashkëpunimit të tyre me Serbinë. Sipas tij, SHBA-ja synon një Ballkan më të qëndrueshëm dhe më të integruar, ndërsa dialogu me Serbinë ka për qëllim largimin e ndikimit rus dhe forcimin e stabilitetit rajonal.
Hoxha thekson se kjo nuk nënkupton dobësim të mbështetjes për Kosovën. Ai shton se shqiptarët duhet të përqendrohen në forcimin e institucioneve, zhvillimin ekonomik dhe partneritetin strategjik me SHBA-në, NATO-n dhe Bashkimin Evropian, duke theksuar se paniku ndaj bashkëpunimit amerikan me Serbinë është i pabazuar.
Shkrimi i plotë: Nuk ka vend të frikësohemi, as të ftohen marrëdhëniet me SHBA-në, NATO-n dhe aleatët e tjerë nëse ata punojnë me Serbinë! Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, bota u nda në dy blloqe të mëdha: bllokun perëndimor, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, dhe bllokun lindor, të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik.
Në këtë kontekst, në vitin 1961, në Beograd u themelua Lëvizja e të Painkuadruarve nga Tito, Nehru, Nasser, Sukarno dhe Nkrumah, për të ruajtur pavarësinë jashtë dy blloqeve.
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe ndryshimeve të mëdha gjeopolitike, Jugosllavia u përball me kriza të thella të brendshme, që shumica e historianëve i shpjegojnë si ndërthurje faktorësh të brendshëm dhe ndryshimesh të mëdha ndërkombëtare. Luftërat në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe më pas në Kosovë ishin pjesë e shpërbërjes së federatës jugosllave.
Në Kosovë, represioni dhe spastrimi etnik ndaj shqiptarëve çuan në ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999. Pas këtyre zhvillimeve, shumica e vendeve të Ballkanit u orientuan drejt integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian.
SHBA-ja kërkon një Ballkan më të qëndrueshëm dhe më të integruar, ndaj mban dialog edhe me Serbinë, të cilën, që nga bombardimi i saj në vitin 1999, mundohet në të gjitha mënyrat e mundura ta fusë nën kontroll dhe ta largojë ndikimin rus atje. Kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht dobësim të mbështetjes për Kosovën.
Shqiptarët nuk duhet ta ndërtojnë politikën e tyre mbi frikë, por mbi forcimin e institucioneve, partneritetet strategjike dhe bashkëpunimin afatgjatë me aleatët si SHBA-ja, NATO-ja dhe BE-ja. Mospajtimi i shqiptarëve dhe kundërshtimi eventual i politikës amerikane ndaj Serbisë dhe rajonit mund të ndikojnë negativisht në perspektivën e Kosovës, e sidomos në relacionet me SHBA-në.
Ne duhet ta dimë se interesi amerikan për një Ballkan të qëndrueshëm nuk e zbeh partneritetin me Kosovën. Përkundrazi, stabiliteti vjen nga institucione të forta, zhvillimi ekonomik dhe aleanca të qëndrueshme, jo nga paniku apo reagimet e nxituara. Bashkëpunimit amerikan me Serbinë i frikësohen ata që nuk e njohin politikën rajonale dhe globale.
Futja e Serbisë në NATO dhe në BE është mision i SHBA-së që nga viti 1991, kur u shpartallua ish-Jugosllavia.
