Zulbeari: ISHP nisi hetimin epidemiologjik për pacientët nga Gostivari

0%

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Dr. Shaqir Zulbeari, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Dr. Sasho Klekovski, dhe drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të Gostivarit, zhvilluan sot një vizitë në Gostivar për të ndjekur nga afër gjendjen e pacientëve të paraqitur me simptoma gastrointestinale.

Zulbeari bëri të ditur se ekipet e Institutit të Shëndetit Publik janë angazhuar menjëherë në terren dhe kanë nisur hetimin epidemiologjik për të zbuluar sa më shpejt shkaktarin e situatës. “Qendra e Shëndetit Publik është e angazhuar drejtpërdrejt në identifikimin e shkaktarit.

Ekipet tona kanë filluar anketimet epidemiologjike dhe marrjen e mostrave, të cilat janë thelbësore për përcaktimin e burimit të problemit”, theksoi ai. Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që paraqiten në institucionet shëndetësore me simptoma gastrointestinale të bashkëpunojnë me ekipet epidemiologjike, duke plotësuar anketat përkatëse.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Së bashku me marrjen e ndihmës mjekësore, është shumë e rëndësishme që pacientët të japin informacionet e nevojshme në anketën epidemiologjike. Çdo e dhënë është e vlefshme dhe ndihmon në identifikimin më të shpejtë të shkaktarit”, u shpreh Dr. Zulbeari.

Ai theksoi se Instituti i Shëndetit Publik do të vazhdojë të monitorojë situatën në koordinim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë, Spitalin e Gostivarit dhe institucionet e tjera kompetente. “Do të jemi në terren dhe në shërbim të qytetarëve 24 orë në ditë, deri në sqarimin e plotë të situatës dhe identifikimin e shkaktarit”, deklaroi Zulbeari.

Burimi: Telegrafi