Shpërndaje në: Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se partitë opozitare në Kosovë “duhet ta shtrëngojnë dorën e shtrirë të Vetëvendosjes” për të zhbllokuar ngërçin politik në Kosovë.
I pyetur për pezullimin e bisedimeve për formim institucionesh nga Lidhja Demokratike e Kosovës pasi ndaj kryetarit të saj Lumir Abdixhiku u iniciua procesi i shkarkimit, Sveçla ka thënë se VV-ja “e ka dëshmuar që është e gatshme për të bashkëpunuar”.
“Në vazhdimësi ka ofruar opsione për të dalë nga kjo situatë, që është produkt i një vendimi shumë të çuditshëm dhe të padrejtë të Gjykatës Kushtetuese ku na duhet patjetër kuorumi i 2/3 të Kuvendit për të zgjedhur presidentin.
Ne shpresojmë që subjektet politike opozitare do të marrin qëndrime drejt asaj që të zhbllokohet kjo situatë, dorën e shtrirë të VV-së ta shtrëngojnë dhe të ecin para drejt konsolidimit të institucioneve e pastaj edhe të përmbushjes së asaj për çka qytetarët na kanë votuar”, ka thënë Sveçla për A2news.
Javën e kaluar kryeministri në detyrë Albin Kurti takoi krerët e dy partive, PDK-së e LDK-së. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha pas takimit se kjo parti do të qëndrojë në opozitë. E pas takimit me Abdixhikun, Kurti dhe kryetari i LDK-së në deklaratat publike u shprehën optimistë dhe të gatshëm për vazhdim bisedimesh. E KOHA raportoi në burime se ka pasur marrëveshje në parim mes tyre.
Gjithsesi, Abdixhiku i pezulloi bisedimet dy ditë më parë për shkak të krizës së brendshme në parti dhe kërkesës për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, nëpërmjet të cilit synohet të shkarkohet Abdixhiku, i cili akuzoi një grupim brenda partisë se synon bllokimin e zgjedhjes së institucioneve të reja.
Ndërkaq seanca konstituive e Kuvendit nuk do të mbahet gjatë korrikut, ka paralajmëruar ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Ajo ka thënë se synimi është të shmanget një krizë e re që do ta çonte vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. Deri më 7 gusht, deputetët e rinj kanë kohë për ta konstituuar legjislaturën e njëmbëdhjetë të Kuvendit.
Edhe Arbëri 6 min. më parë Sveçla: Serbia të izolohet derisa Vuçiqi të marrë masa ndaj Paunoviqit Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit ishin të tretat të përgjithshme të mbajtura brenda 1 viti e gjysmë, të cilat u desh të organizohen, pasi deputetët e Legjislaturës së dhjetë dështuan të zgjedhin presidentin e ri, pas skadimit të mandatit pesëvjeçar të Vjosa Osmanit.
Për të zgjedhur presidentin duhen 80 vota në dy rundet e para të votimit. Po që se nuk mbërrihet ky numër i votave për një kandidat, shkohet në rundin e tretë ku dy kandidatët më të votuar, ku kandidati me 61 vota do të zgjidhej president. LVV-ja më 7 qershor siguroi 53 ulëse. LDK-ja si partia e tretë i ka 18. PDK-ja i ka 22 e AAK-ja shtatë. 20 të tjerë janë nga komunitetet.
