Sulmet ukrainase godasin magazinat e gjigantit rus të shitjeve

0%

Shtatë persona janë vrarë dhe 49 të tjerë janë plagosur, pasi dronët ukrainas goditën dy magazina të kompanisë më të madhe ruse të tregtisë online, “Wildberries”, sipas autoriteteve ruse, raportoi BBC. Të gjitha viktimat dhe 25 nga të plagosurit ndodheshin në një magazinë në qytetin Tambov, rreth 475 kilometra në juglindje të Moskës.

Sipas burimeve, 24 personat e tjerë u plagosën në një magazinë tjetër të kompanisë në “Elektrostal”, në rajonin e Moskës. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se sulmet kishin goditur “objekte të mëdha logjistike” që, sipas tij, përdoreshin për furnizimin me komponentë të sanksionuar për prodhimin e dronëve dhe pajisjeve të navigimit.

Ai deklaroi gjithashtu se Ukraina kishte goditur objektiva në Detin e Azovit, Detin e Zi dhe në Krimenë e aneksuar nga Rusia, duke i cilësuar operacionet si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ruse ndaj infrastrukturës civile dhe qyteteve ukrainase. Kompania “Wildberries”, e krahasuar shpesh me “Amazon-in” rus, konfirmoi viktimat.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Drejtoresha ekzekutive Tatiana Kim e cilësoi ngjarjen “një natë të tmerrshme” për Rusinë dhe kompaninë. Guvernatori i Tambovit tha se shtatë punonjës të turnit të natës humbën jetën dhe se 25 persona u plagosën, shumica prej tyre nga copëzat e shpërthimeve. Ai shtoi se mbrojtja ajrore ruse kishte rrëzuar 28 dronë në zonë.

Ndërkohë, autoritetet e rajonit të Moskës njoftuan se 48 dronë ishin rrëzuar gjatë natës dhe se një depo nafte ishte goditur nga një dron, duke shkaktuar, sipas tyre, pasojat më të rënda të sulmit. Zelensky konfirmoi se Ukraina kishte goditur edhe një objekt nafte në territorin rus.

Burimi: Bota Sot