Në “Kallxo Përnime” janë transmetuar rrëfimet e Arbrore Kadriut dhe Arita Suhodollit për përvojën e tyre si refugjatë në kohën e luftës në Kosovë dhe dëbimin e tyre për në Bllacë të Maqedonisë së Veriut e Novi Pazar të Serbisë në vitin 1999. Në rrëfimin e saj, Arbrore Kadriu ka përshkruar rrugën me tren bashkë me familjen e saj për në Bllacë.
Ajo tregon se si bashkë me të ëmën e motrën ishte nisur për në stacionin e trenit në Prishtinë për të marrë rrugën për në Bllacë të Maqedonisë së Veriut. “Në ora 12 ne përgatitemi me dalë për të treni, por motra fillon të ketë gjakderdhja nga hunda, Ndoshta dhe për shkak të stresit. Për fat na ik treni i orës . Ne dalim në ora 2 në stacion të trenit.
Gjatë qëndrimit aty kemi pa pamje jo të lehta. Kanë qenë dy studentë dhe vijnë dy policë dhe ua marrin çantat dhe ua nxjerrin dokumentet. Dhe në mesin e atyre dokumenteve gjejnë edhe indekset e studimeve. I marrin zvarrë dhe vetëm anash stacionit dhe pas pak sekondash ne dëgjojmë dy krisma. E kujtoj në stacion të trenit shkuan shumë trena nuk kishte vend.
Dikur vonë na ka ardhë radha me hyp në tren. E kujtoj që treni ka qenë i gjakosur sepse në trenin paraprak kish pas torturua kanë thanë që ka pas persona që kanë pas tortura për atë arsye treni është i papastër”- thotë ajo. Arbnore Kadriu rrëfen momentet e para kur kanë arritur në Bllacë. “Në momentin që kemi mbërri në Bllacë nuk u hapnin dyert e trenit.
Autoritet e Maqedonisë së Veriut thonin se nuk ka më vend në Bllacë e policët serbë insistonin që na me dal prej treni. Ka qenë panik shumë e madhe. Ka qenë përjetim shumë i rëndë për një moshë shumë të re”- thotë ajo ndër të tjera në Kallxo Përnime. Arita Suhdolli e cila para luftës bashkë me familjen e saj kishte jetuar në veriun e Mitrovicës, ka treguar se si ka qenë jeta në atë zonë.
“Kam qenë pesë vjeçare në luftën në Kosovë. Para luftës veriu ka qenë zemra e Mitrovicës së paku për në që kemi jetu aty”- tha ajo. Suhudolli tregon se si disa herë më radhë në banesën e tyre kishin ardhur paramilitarët serb. Ajo përshkruan rrugën e saj dhe të familjes për në Rashkë të Serbisë si lidhje për të vazhduar më pas në Novi Pazar.
“Plaçkitjet kanë qenë të tmerrshëm dhe babai vendosi me këqyre me bileta në Rashkë. Ne kemi vendos me shku përmes stacionit të trenit të Mitrovicës për në Novi Pazar sepse i kishim familjarët aty. Tezja e babit na pritke atje dhe thoshin që edhe këndej ka Vushtrria është keq situata. Jemi nis prej stacionit të trenit në Mitrovicë për në Rashkë.
E di që babai i ka thënë mamit me u vesh shumë mirë që mos me u dallu që jemi shqiptarë apo ‘nevojli’. Në Rashkë na kanë marrë më taksi për në Novi Pazar. E kujtoj që treni ka qenë i mbushur me paramilitarë serbë që tregonin storje se si i kanë vra e maltreu shqiptarët. Nuk kena guxu hiç me fol shqip na fëmijët. Tezja e babit na ka prit në Novi Pazar”- ka treguar Suhodolli.
Por as në Novi Pazar nuk kishte qenë sigurt për të qëndruar, ajo dhe familja ishin nisur për në Ulqin. “As aty nuk ka qenë e sigurt me nejt, u dashtë me u nis për Ulqin. Prej Novi Pazar kemi shku deri në Rozhaje më taksi. Për fat ne kemi kalu pa na pa hiç.
Pasi që mbërritëm në Ulqin, ka qenë një lehtësim, ka qenë telashe ku me shku se shtëpitë i lëshonin me qira shumë të shtrenjta për refugjatë. Neve na kanë lënë vetëm një kat të shtëpisë 900 marka në atë kohë për një muaj. Aty kemi nejt 20 ditë sepse pastaj kemi vazhduar më një shtëpi tjetër ku ishte 200 marka muaji” – rrëfen ndër të tjera Suhodolli në Kallxo Përnime.
Rrëfime të shumta si këto mund t’i dëgjoni në muzeun “Eksodi 99′” në Prishtinë.
