Detaje të reja kanë dalë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së premtes në Korçë, ku një 18-vjeçar mbeti i plagosur pas një konflikti me njerkun e tij. Burime bëjnë me dije se 37-vjeçari Niko Baka ndodhej në banesën e bashkëjetueses së tij, ku ishte organizuar një darkë familjare.
Në tavolinë ndodheshin edhe djali 18-vjeçar i bashkëjetueses, xhaxhai i tij, si edhe persona të tjerë, raporton euronews.al. Sipas të njëjtave burime, gjatë konsumimit të alkoolit ka nisur një debat, i cili ka degraduar në dhunë. Në kulmin e konfliktit, 37-vjeçari dyshohet se ka marrë një mjet prerës dhe ka goditur 18-vjeçarin në kokë, duke i shkaktuar plagë të rënda.
I riu u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Korçës, ku mori ndihmën mjekësore, ndërsa shërbimet e Policisë bënë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar. Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në përshkallëzimin e konfliktit familjar.
