Kur bie Etika, as Ligji nuk e shpëton shoqërinë

0%

Një nga gabimet më të mëdha që bëjmë si shoqëri është se e masim ndershmërinë vetëm me ligjin. Mjafton që një veprim të mos jetë i ndaluar shprehimisht nga ligji dhe ai konsiderohet i pranueshëm. Në të vërtetë, ligji dhe etika nuk janë sinonime.

Ligji përcakton kufirin minimal të sjelljes së lejuar, ndërsa deontologjia përcakton standardin e sjelljes që duhet të karakterizojë çdo profesionist dhe çdo funksionar publik. Shkelja ligjore është e dukshme. Ajo ndëshkohet nga gjykatat, prokuroria dhe organet e kontrollit. Ndërsa shkelja deontike është më e heshtur, por shpesh shumë më e rrezikshme.

Ajo nuk shkatërron vetëm një procedurë apo një dosje; ajo shkatërron besimin e qytetarëve te institucionet. Një ministër mund të mos ketë shkelur asnjë nen të Kodit Penal, por nëse emëron njerëz pa meritë, në bazë të lidhjeve politike, familjare apo klienteliste, ai ka kryer një shkelje të rëndë deontike.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Një deputet mund të respektojë formalisht ligjin, por nëse voton sipas interesave të ngushta partiake dhe jo në interes të qytetarëve që e kanë zgjedhur, ai ka tradhtuar etikën e përfaqësimit publik. Në administratën shtetërore fenomeni bëhet edhe më i dukshëm.

Kur një vend pune fitohet jo nga më i afti, por nga më i afërti me pushtetin, mund të mos ketë gjithmonë një shkelje të provueshme ligjore, por ka një cenim të rëndë të parimit të meritokracisë. Pikërisht këtu fillon degradimi i shtetit. Në sistemin e drejtësisë, deontologjia është po aq e rëndësishme sa ligji.

Një gjyqtar ose prokuror duhet jo vetëm të jetë i paanshëm, por edhe të duket i tillë. Drejtësia nuk kërkon vetëm vendime të ligjshme; ajo kërkon besim publik. Kur qytetarët humbasin besimin te drejtësia, humbet edhe vetë autoriteti i shtetit. Universitetet nuk janë thjesht institucione që japin diploma. Ato janë tempuj të dijes dhe të integritetit akademik.

Një pedagog që favorizon studentë, toleron plagjiaturën, manipulon vlerësimet ose përdor autoritetin për interesa personale mund të mos ketë kryer domosdoshmërisht një shkelje penale, por ka cenuar rëndë etikën universitare. Çdo diplomë e fituar pa meritë është një padrejtësi ndaj mijëra studentëve të ndershëm dhe një goditje ndaj cilësisë së arsimit.

Edhe media ka kodin e saj deontologjik. Gazetari nuk është thjesht transmetues lajmesh; ai është garant i së vërtetës. Kur informacioni manipulohet, kur faktet zëvendësohen me propagandë, kur shpifja maskohet si opinion ose kur interesat ekonomike diktojnë lajmin, dëmi që i shkaktohet demokracisë është shumë më i madh sesa një shkelje e zakonshme ligjore.

Në shëndetësi, shkelja deontike mund të ketë pasoja dramatike. Mjeku nuk gjykohet vetëm nga aftësia profesionale, por edhe nga humanizmi, përgjegjësia dhe respekti për pacientin. Marrëdhënia mjek–pacient mbështetet mbi besimin. Kur ky besim thyhet, dëmtohet vetë themeli i shërbimit shëndetësor.

Edhe profesione të tjera, si avokatët, noterët, inxhinierët, arkitektët, ekonomistët, ekspertët kontabël, gjeodetët, hartografët, mësuesit dhe çdo profesion tjetër i licencuar, nuk mund të mbështeten vetëm te ligji. Çdo profesion ka etikën e vet, e cila është po aq e rëndësishme sa njohuritë teknike. Profesionalizmi pa integritet është i rrezikshëm.

Shqipëria ka vuajtur për dekada jo vetëm nga mungesa e zbatimit të ligjit, por edhe nga mungesa e kulturës së përgjegjësisë morale. Kemi parë shumë raste kur njerëzit justifikohen me shprehjen: “Nuk kam shkelur ligjin.” Por pyetja që duhet bërë është një tjetër: A ke respektuar etikën e detyrës që të është besuar? Jo çdo veprim i ligjshëm është edhe i drejtë.

Jo çdo vendim që nuk ndëshkohet nga gjykata është moralisht i pranueshëm. Historia na mëson se shumë padrejtësi janë kryer duke u fshehur pas formalitetit ligjor. Shoqëritë e zhvilluara nuk dallohen vetëm nga ligje të mira, por edhe nga kultura e integritetit.

Atje ku funksionarët japin dorëheqjen për një konflikt interesi, ku profesorët mbajnë përgjegjësi për plagjiaturën, ku gazetarët kërkojnë falje për një informacion të pasaktë dhe ku gjyqtarët tërhiqen nga çështjet për të shmangur çdo dyshim mbi paanshmërinë, deontologjia është bërë pjesë e ndërgjegjes institucionale. Edhe Shqipëria ka nevojë për këtë kulturë.

Nuk mjafton të ndërtojmë institucione që zbatojnë ligjin; duhet të ndërtojmë institucione që respektojnë etikën. Nuk mjafton të kemi profesionistë të aftë; duhet të kemi profesionistë me karakter. Sepse, në fund të fundit, ligji mund të ndëshkojë shkelësin, por vetëm deontologjia mund të formojë njeriun e përgjegjshëm.

Dhe kur deontologjia bëhet pjesë e kulturës së një kombi, ligji nuk mbetet më mjeti i vetëm për të mbrojtur shoqërinë, por garancia e fundit e një ndërgjegjeje që tashmë e ka zgjedhur rrugën e drejtë.

Burimi: Bota Sot