Politikani serb Nikola Sanduloviq ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila tha se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998.
Në një reagim publik, Sanduloviq e cilësoi ministren si përfaqësuese të një ideologjie naziste, duke thënë se pasi u përball me kritika të forta ndërkombëtare dhe reagime të opinionit publik, ajo po përpiqet t’i relativizojë deklaratat e saj, duke i quajtur ato një “shprehje të pafat”.
Sipas tij, deklaratat e Paunoviqit zbulojnë fytyrën e vërtetë të elitës nacionaliste serbe të viteve ’90, të cilën ai e akuzon për krime ndaj civilëve, dëbime dhe fshehje të viktimave në Bosnje e Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë.
Sanduloviq theksoi se përpjekja e ministres për ta paraqitur idenë e “deportimit” të shqiptarëve nga Kosova nuk ndryshon thelbin e deklaratës së saj, pasi, sipas tij, bëhet fjalë për të njëjtën logjikë të spastrimit etnik.
Shkrimi i plotë: Kur një keqbërës me ideologji naziste përballet me kritika të gjera ndërkombëtare, me dënimin e pjesës së shëndoshë dhe intelektuale të shoqërisë serbe, dhe kur e kupton se as Ivica Daçiqi e as Aleksandar Vuçiqi nuk do të mund ta shpëtojnë nga procedura penale dhe përgjegjësia për atë që ka deklaruar, atëherë fillon një histori tjetër – ajo e fytyrës së saj frikacake, duke u arsyetuar se gjithçka paska qenë vetëm një “shprehje e pafat”.
Kjo është fytyra e vërtetë frikacake e elitës hegjemoniste, nacionaliste dhe kriminale të viteve ’90, e cila atëherë “me guxim” vriste civilë dhe fëmijë të pafajshëm, dëbonte popullsinë dhe i varroste fshehurazi viktimat e saj në Bosnje e Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë.
Më pas, kur u përball me forcën e drejtë dhe më se të justifikuar të SHBA-së, NATO-s, bashkësisë ndërkombëtare dhe Gjykatës së Hagës, qante dhe shtirej si viktimë e pafajshme. Tani, planin e saj për spastrimin etnik të popullit shqiptar nga Kosova po përpiqet ta riformulojë, duke i paraqitur prirjet e saj naziste si një plan për deportimin e shqiptarëve nga Kosova në “shtetin e tyre amë”.
Le t’ia shpjegojë dikush, qoftë edhe gjysmë i arsimuar, nga strofka kriminale e radikalëve, SPS-së dhe SNS-së, kësaj nacionalisteje analfabete, që paraqitet rrejshëm si e zhvendosur nga Kosova, se askush nuk ka mundur dhe nuk ka pasur të drejtë t’i deportojë qytetarët shqiptarë të Kosovës në ndonjë “shtet amë” të tyre të padukshëm dhe të paqenë, sepse vendi i tyre amë, ku kishin lindur dhe kishin jetuar prej shekujsh, ishte pikërisht Jugosllavia.
Pikërisht nga ai shtet Snezhana Paunoviq dëshironte t’i dëbonte me forcë – ose, thënë ndryshe, t’i shpërngulte etnikisht me kamionë dhe trena nga vendi i tyre, ashtu siç vepronin nazistët.
Në vend që pushteti aktual serb ta shkarkojë nga detyra dhe të zhvillojë menjëherë një procedurë të rregullt dhe të përshpejtuar penale ndaj saj, ai i jep sërish hapësirë mediatike që të tregojë të gjithë padijen, mungesën e kulturës dhe ideologjinë e saj naziste, të cilën vazhdon ta shfaqë pa pendesë dhe pa një kërkimfalje të sinqertë.
